Dy banka komerciale në Kosovë, BKT dhe ProCredit Bank, kanë njoftuar klientët për ndryshime në çmimoret e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Çmimorja e re e BKT-së hyn në fuqi më 1 shtator, ndërsa ajo e ProCredit Bank më 1 tetor, shkruan Kujdestari.info.
Ndryshimet vijnë në një kohë kur bankat në Kosovë vazhdojnë të raportojnë fitime të larta, ndërsa për qytetarët shërbimet bankare nuk po bëhen më të lira. Përkundrazi, në disa raste po shtohen tarifa të reja ose po krijohen produkte të reja me çmime më të larta.
Një prej ndryshimeve më të prekshme te BKT lidhet me tërheqjen e parave në bankomatet e vetë bankës. Me çmimoren e re, tërheqja në bankomatet e BKT-së që ndodhen brenda objekteve të bankës kushton 20 centë për transaksion, ndërsa në bankomatet jashtë objekteve tarifa është 25 centë. Pensionistët dhe klientët e pakos bazike përjashtohen nga kjo tarifë.
BKT vazhdon të aplikojë edhe tarifa të tjera për shërbimet bazike. Llogaria rrjedhëse për pagamarrës kushton 1.50 euro në muaj, ndërsa llogaria standarde 2 euro. Mirëmbajtja e e-Banking dhe m-Banking kushton 50 centë në muaj. Për tërheqjen e parave në bankomatet e bankave të tjera brenda Kosovës aplikohet komision prej 2 për qind, me minimum 3 euro për transaksion. E njëjta tarifë aplikohet edhe për tërheqjet në bankomatet jashtë vendit.
Ndryshime në ofertën e saj ka paralajmëruar edhe ProCredit Bank. Nga 1 tetori banka do të ketë pakon Avancuar+ me tarifë mujore prej 7.99 euro dhe Standard+ me 3.99 euro.
Megjithatë, në rastin e ProCredit duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Pakot e deritanishme Avancuar, që kushton 5 euro në muaj, dhe Standard, me 2 euro në muaj, nuk po shndërrohen automatikisht në pakot e reja më të shtrenjta për klientët ekzistues. Sipas çmimores së re, Avancuar, Standard dhe Pako Zero vazhdojnë të vlejnë për klientët ekzistues, por nuk do t’u ofrohen më klientëve të rinj.
Kjo nënkupton se një klient i ri nuk do të mund ta zgjedhë më Avancuar me 5 euro apo Standard me 2 euro. Në ofertën e re, Avancuar+ kushton 7.99 euro, ndërsa Standard+ 3.99 euro. Pra, krahasuar me çmimet e pakove të vjetra me emërtim të ngjashëm, diferenca është 2.99 euro në muaj për Avancuar+ dhe 1.99 euro për Standard+.
Ndryshimet në çmimore vijnë ndërkohë që sektori bankar në Kosovë është ndër sektorët më profitabilë të ekonomisë. Sipas të dhënave të raportuara për vitin 2025, bankat komerciale realizuan rreth 185 milionë euro fitim neto. Edhe një vit më parë fitimi kishte qenë mbi 180 milionë euro, duke dëshmuar vazhdimësi të profitabilitetit të lartë të sektorit.
Pikërisht në këtë kontekst, tarifat bankare marrin peshë më të madhe për konsumatorët. Digjitalizimi ka ulur nevojën për shumë shërbime fizike në sportele dhe një pjesë gjithnjë e më e madhe e transaksioneve kryhet nga vetë klientët përmes aplikacioneve dhe e-banking. Megjithatë, kjo nuk është përcjellë domosdoshmërisht me ulje të përgjithshme të kostos së shërbimeve për qytetarët.
Fakti që BKT dhe ProCredit kanë njoftuar në të njëjtën periudhë për çmime të reja nuk është dëshmi faktike se bankat kanë koordinuar politikat e tyre të tarifave. Megjithatë, zhvillimet e fundit e rikthejnë në vëmendje atë nëse konkurrenca ndërmjet bankave në Kosovë po reflektohet mjaftueshëm në uljen e kostos së shërbimeve për qytetarët, veçanërisht në një sektor që prej vitesh gjeneron fitime të konsiderueshme. /Kujdestari.info/