E shtunë, 28 Mars, 2026

Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash

Ndaj

Data: 27.03.2026

Lumi Drini i Bardhë po ndotet vazhdimisht nga ujërat e zeza dhe mbeturinat. Hulumtimet laboratorike kanë gjetur prani të ndotësve të shumtë, përfshi edhe atyre kimik si dhe të medikamenteve të ndryshme në ujë. Kjo situatë dëmton ekosistemin ujor, po rrezikon shëndetin publik dhe ndikon në aktivitetet ekonomike e rekreative që lidhen me lumin. E gjithë kjo ndotje e shkaktuar në Kosovë, shkon në Shqipëri duke shkaktuar pasoja të ndryshme.

Në fshatin Nashec të Prizrenit, lumit Drini i Bardhë i bashkohet një rrjedhë tjetër uji. Nga lart, nganjëherë duket si një degë e zakonshme lumi. Por mjafton t’i afrohesh për ta kuptuar se diçka nuk shkon. Uji është më i errët, kundërmon dhe përhapet në lumin kryesor si një njollë ndotjeje.

Ky nuk është një lumë. Është kanalizim i madh, i hapur, që shkarkohet drejtpërdrejt në Drinin e Bardhë. Kur e vizituam këtë lokacion gjatë verës, sasia e ujit ishte më e pakët sesa në stinët e tjera.

Banorët e fshatit Nashec thonë se në sezonin e verës kjo ndotje duket më pak për shkak të mungesës së reshjeve të shiut dhe reduktimeve të ujit të pijshëm, pasi në sezone të tjera ky “lumë” është dukshëm më i madh. Megjithatë, edhe në këtë periudhë, ndikimi i tij në ndotjen e lumit ishte i dukshëm, jo vetëm me sy të lirë, por edhe nga pamjet e realizuara me dron, ku dallimi mes ujit të Drinit dhe derdhjes së kanalizimit shfaqej qartë si dy rrjedha të ndryshme që takohen.

Te ky lokacion arritëm pas një vëzhgimi të imazheve satelitore, gjatë një analize mbi ndotjen dhe degradimin e shtratit të Drinit të Bardhë. Derdhja e këtij kanalizimi masiv shihet qartë edhe në imazhet e disponueshme në platformën Google Maps.

Sipas banorëve të Nashecit, kjo gjendje është që nga viti 2005 dhe e ka dëmtuar shumë mjedisin prej ku derdhet kanalizimi e deri te lumi.

Shukri Quni, kryetar i këtij fshati dhe ish-këshilltar komunal në Komunën e Prizrenit thotë se mbi 50% të ujërave të zeza të Prizrenit dhe të disa fshatrave tjera derdhën në këtë pjesë të Drinit të Bardhë.

“Tani po e shihni edhe vet se çfarë ndotje po i bëhet Drinit. Ky ka qenë një vend rekreativ për banorët, ndërkaq tani kundërmon kanalizim”, thotë Quni.

Ky është “Lumi i zi” i Prizrenit që derdhet në Drinin e Bardhë në fshatin Nashec. | Foto: Besnik Boletini

Ai na dërgoi edhe të gypat e mëdhenj ku del ky kanalizim para se të arrij të lumi. Aty ishte planifikuar ndërtimi i një impianti, por që nuk është realizuar. Quni thotë se banorët e fshatit Nashec janë mashtruar me ato premtime, sepse nuk do ta lejonin që të vendosshin gypat e kanalizimit me qëllim që të shkarkohen në lumë.

Quni thotë se kanë bërë disa kërkesa për t’u ndërtuar impianti, por deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Nga Komuna e Prizrenit përmes një përgjigje me shkrim lidhur me derdhjen masive të ujërave të zeza në fshatin Nashec thonë se kanë bërë dy studime të fizibilitetit, por kostoja e madhe e këtij projekti e ngadalëson jetësimin tij dhe se nevojitet që edhe qeveria të bashkëveprojë në këtë drejtim.

“Komuna e Prizrenit nuk ka aktualisht ndonjë plan në ketë drejtim”, thuhet në përgjigje.

Në mungesë të impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, në Kosovë është bërë “normalitet” që kanalizimet të derdhën në lumenj.

Egzona Shala-Kadiu, drejtoreshë e organizatës EcoZ thotë se problemi më kritik i ujërave sipërfaqësore janë shkarkimet e ndryshme në ujëra, qoftë shkarkimet urbane, shkarkimet e bujqësisë apo të amvisërisë në përgjithësi, e që në Kosovë si vend të vetëm e kanë lumin.

“Rreth 2 për qind të ujërave të zeza në vendin tonë trajtohen para se të shkarkohen në lumenj, shkaku i mungesës së impianteve, pjesa tjetër 98 për qind drejtpërdrejtë shkon në lumenj apo në gropa septike”, thotë ajo.

Përveç ndotjes nga ujërat e zeza, Drini i Bardhë është i mbushur me mbeturina të shumta dhe të ndryshme, e ndërkaq dëmtime të mëdha janë bërë nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit, të cilët kanë gërmuar kudo dhe për pasojë në shumë lokacione nuk dihet saktë as shtrati i vërtetë i lumit.

Shiko videon për më tepër

Edhe për shkak të këtyre veprimeve, çdo fillim vit shumë fshatra e qytete ku kalon Drini i Bardhë përfshihen nga përmbytjet e ku dëmet janë të shumta. Një gjë e tillë në Kosovë ndodhi edhe në javën e parë të janarit të këtij viti. Rritja e nivelit të ujit mblodhi mbeturinat e hedhura në lumë dhe i grumbulloi kryesisht nëpër ura e ku u bllokua rrjedha e ujit, si pasojë lumi devijoi. Ndërkaq në vendet ku është gërmuar, lumi devijoi lehtë dhe përmbyti ara, oborre e shtëpi si dhe objekte biznesore, duke shkaktuar dëme në vlerë miliona euro.

Përgjatë Drinit të ndotur: Ujëra të zeza, mbeturina, eksploatime

Drini i Bardhë është lumi më i gjatë në territorin e Kosovës, me një gjatësi prej rreth 122 kilometra. Gjatë realizimit të këtij hulumtimi kemi vizituar rrjedhën e lumit në disa pika të këtij lumi që nga fshati Radac i Pejës aty ku buron, e deri në Kukës te liqeni i Fierzës. E gjithë ndotja që bëhet në Kosovë po përfundon në Shqipëri, veçanërisht kur rritet niveli i ujit si në këtë fillim janar, mbeturinat e hedhura në lumë dhe buzë lumit grumbullohen dhe në masë të madhe depërtojnë në Kukës.

Ndotja e Drinit të Bardhë fillon që nga vendi ku buron. Aty kanalizimet e restoranteve dhe disa shtëpive përreth shkarkohen në lumë. Duke ndjekur rrjedhën për 200-300 metra gjejmë edhe një gyp të madh të kanalizimit, e gjithashtu aty shihen mbeturina kryesisht plastike që janë hedhur dhe janë mbledhur në vende të ndryshme përgjatë rrjedhës së lumit.

 

Ndotja me kanalizime dhe mbeturina fillon qysh të vendin e burimit në fshatin Radac të Pejës. | Foto: Besnik Boletini

Problemi i njëjtë vazhdon edhe në fshatrat tjera që përfshijnë territorin e Pejës dhe të Istogut. Një banor i fshatit Dubovë e Vogël të Komunës së Istogut që nuk dëshironte ta publikonte identitetin, thotë se shumica e shtëpive i shkarkojnë kanalizimet në lumë apo në gropa septike, e që edhe ato indirekt përfundojnë në lumë.

“Dëmin më të madh e bëjnë kanalizimet sidomos për shkak të përdorimit të detergjenteve të ndryshëm. Këto kanë ndikim shumë negativ te peshqit dhe gjallesat tjera”, thotë ai.

Afër me Dubovën e Vogël është fshati Baicë, ku para 15 viteve ishte ndërtuar një impiant për trajtimin e ujërave të zeza. Por, ky impiant që është rreth 20 metra afër lumit nuk është funksional. Aty vijnë ujërat e zeza dhe si të tilla derdhën direkt në lumë. Gjendja aktuale e këtij impianti tregon se ai nuk mirëmbahet dhe se është i mbuluar me bari dhe shkurret.

Fatlije Buza, udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, thotë se ndërtimi i impianteve të tilla të vogla ka qenë një përpjekje për trajtimin e ujërave të zeza, por “ato mbesin jofunksionale për shkak të mirëmbajtjes, sepse askush nuk e merr në përgjegjësi. Duhet ta merr p.sh ose ndonjë kompani rajonale ose Ministria e Zhvillimit Ekonomik”, thotë ajo.

Rrugëtimin përgjatë lumit e vazhduam për në fshatin Rakovinë të Gjakovës. Aty gjetëm mbeturina të shumta dhe nga me të ndryshmet, si goma (rreth lumit dhe të fundosura në ujë), shishe plastike, mbeturina inerte etj,. që janë hedhur në lumë dhe buzë tij. Në disa pjesë të shterura të lumit, shiheshin mbeturina të shumta që i kishte bartur uji. Pak më tutje është një gyp i kanalizimit i mbuluar me bari që shkarkon ujërat e zeza në lumë.

Kryetari i këtij fshati Ismet Kelmendi thotë se Drini i Bardhë është ndotur jashtëzakonisht shumë në këtë fshat. Ai thotë se një pjesë e mbeturinave janë hedhur nga banorët me qëllim për ta parandaluar daljen e lumit nga shtrati. Kjo për shkak se askush nuk ka ndërmarrë diçka për ta zgjeruar shtratin e lumit.

Gjendja e Drinit të Bardhë në fshatin Rakovinë të Gjakovës. | Foto: Besnik Boletini

“Plastika, hekura, goma, pjesë të betonit, pjesë të asfaltit, ka gjithçka këtu. Të gjitha këto janë bërë në njëfarë forme me “lejen” e fshatit vetëm ta mbrojmë tokën bujqësore sepse nuk vjen askush të intervenojë. Duke u munduar ta mbrojmë lumin, kemi bërë dëme”, thotë ai, ndërkaq kërkon nga institucionet lokale dhe qendrore që ta bëjnë një zgjidhje për këtë gjendje.

Çifllaku “kampion” 

Jo shumë larg Rakovinës, gjendet fshati Çifllak i Rahovecit, vendi ku më së shumti kemi parë mbeturina, por edhe degradim nga gërmimet. Pamjet me dron tregojnë për një degradim të lumit dhe shtratit të tij nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Nga gërmimet që janë bërë, lumi është devijuar në shumë anë.

Përveç kësaj, aty janë hedhur mbeturina nga më të ndryshmet, si materiale plastike e qelqi, kanaçe, materiale të drurit, shtylla betoni dhe materiale të ndryshme inerte. Në këtë vend janë hedhur qindra goma, disa buzë lumit, e një pjesë e madhe në lumë. Edhe një divan qëndron sipër mbeturinave.

Hedhja e gomave në lumë përbën një rrezik serioz mjedisor. Me kalimin e kohës, gomat çlirojnë substanca toksike dhe mikroplastikë, të cilat ndotin ujin dhe dëmtojnë organizmat ujorë. Ato gjithashtu bllokojnë rrjedhën e lirë të lumit, ndryshojnë shtratin e tij dhe krijojnë zona uji të ndenjur, duke rritur rrezikun për përhapjen e insekteve dhe sëmundjeve.

Edhe në Kramovik, fshatin fqinj të Çifllakun degradimet e shtratit të Drinit të Bardhë janë të shumta. Ky është ndër fshatrat ku më së shumti është nxjerrë rërë dhe zhavorr, gjë që ka shkaktuar degradim masiv. Nga Droni shihet se në një hapësirë jo shumë të madhe, në afërsi të lumit operojnë tri seperacione të rërës dhe zhavorrit.

Përveç degradimit të shtratit të lumit, një deponi ilegale e krijuar buzë Drinit të Bardhë në fshatin Çifllak të Rahovecit. | Foto: Besnik Boletini

Sipas një raporti të Ministrisë së Mjedisit, të publikuar në vitin 2022 dhe i bazuar në vlerësime nga terreni deri në vitin 2018, përgjatë Drinit të Bardhë janë evidentuar 1 mijë e 393 hektarë të degraduar. Për krahasim, në vitin 2008 kjo sipërfaqe ishte 861 hektarë, çka tregon një rritje të vazhdueshme të degradimit ndër vite.

Në Fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit dëmet përreth lumit janë po ashtu evidente. Në atë pjesë afër lumit operojnë katër seperacione që bëjnë nxjerrjen dhe përpunimin e rërës dhe zhavorrit.

Përveç kësaj, banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit, në mungesë të ndonjë zgjidhje tjetër, kanë vendosur gypin e kanalizimit drejtpërdrejtë në Drinin e Bardhë rreth një kilometër larg shtëpive të tyre. Pavarësisht se ne e vizituam këtë lokacion në fund të gushtit 2025, kur kishte një thatësi të madhe, ky gyp shkarkonte një sasi të madhe të ujit në lumë.

Selami Hoti, kryetar i këtij fshati thotë se vendosja e kanalizimit në lumë ka ndodhur para 20 viteve.

“E keqja është se jemi ndër fshatrat e vetme në Kosovë që kemi participuar me pagesë 60 euro për kokë banori për ta dërguar kanalizimin deri te lumi”, thotë ai, duke shtuar se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme te institucionet për ta gjetur një zgjidhje tjetër, por që nuk janë marrë parasysh.

Ai thotë se lumi sot nuk mund të përdorët siç është përdorur dikur, ndërkaq rikujton se ajo pjesë ishte si zonë turistike, por edhe banorët e zonës e shfrytëzonin atë për të ujitur tokat.

“Sot ky ujë është i ndotur dhe askush nuk mund ta përdorë për asgjë”, thotë Hoti.

Përparim Krasniqi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit thotë se janë në dijeni të derdhjes së ujërave të zeza në atë vend, por komuna nuk ka kapacitete buxhetore për ndërtimin e impianteve. Ai thotë se çdo vit kanë kërkuar nga donatorët dhe qeveria e Kosovës mbështetje financiare për realizimin e një projekti të tillë.

Banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit participuan financiarisht ta dërgojnë një gyp të madh kanalizimi të shkarkohet në Drinin e Bardhë. | Foto: Besnik Boletini

Bazuar në projektet ekzistuese në Kosovë, ndërtimi i një impianti të trajtimit të ujërave të zeza për qytete të mesme dhe të mëdha kushton kryesisht nga 20 deri në 40 milionë euro, varësisht nga kapaciteti dhe teknologjia e përdorur.

Edhe një “burim” tjetër kanalizimi derdhet në Drinin e Bardhë

Duke ndjekur rrjedhën e Drinit të Bardhë dhe duke shkuar pas gjurmëve të ndotjes, arritëm në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Në këtë fshat një “burim” i madh i kanalizimit përmes një gypi të madh shkarkohet vrullshëm në Drinin e Bardhë. Kur u thamë banorëve të atjeshëm se po shkojmë te ai vend, na sugjeruan që të vendosim maska sepse ka kundërmim të madh për shkak se kanalizimi është edhe fekal. Uji i ndotur që del nga ky gyp vërehet menjëherë me një ngjyrë tjetër sapo bashkohet me ujin e lumit.

Herolind Osmanollaj kryetar i këshillit lokal të fshatit Gjonaj thotë se ky është një kanalizim i rreth pesë mijë banorëve, i cili derdhet në mënyrë të vazhdueshme në lumë.

Sipas tij, kur bie shi dhe nuk ka reduktim të ujit të pijshëm, ky kanalizim duket si një ujëvarë.

“Para derdhjes së këtij kanalizimi, lumi ka qenë i pastër dhe banorët janë larë dhe kanë kaluar kohë rekreative këtu. Janë ujitur edhe tokat bujqësore. Tani lumi po shkon drejt degradimit”, thotë ai.

Rreth 20 metra afër lumit gjendet një shtëpi e cila si për ironi ka një bazën të vogël prej llastiku të mbushur me ujë, sikur të na dëshmojë se lumi më nuk përdorët për rekreacion.

Kërkojmë nga organet relevante që të bëhet një impiant i ri për t’u zgjidhur ky problem”, u shpreh Osmanollaj.

Një gyp i madh shkarkon ujërat e zeza dhe atmosferike në Drinin e Bardhë në fshatin Gjonaj të Prizrenit. | Foto: Besnik Boletini 

Edhe peshkatari Granit Berisha që po peshkonte në atë rajon thotë se hudhja e mbeturinave bëhet në lumë ose pranë lumit në vende të ndryshme ku kalon Drini i Bardhë apo degët e tij dhe zakonisht kur rritet niveli i ujit në pranverë i merr gjithë ato mbeturina dhe i dërgon deri në Shqipëri.

Kam parë mbeturina në Kukës që nuk mundesh me marrë me mend”, thotë ai.

Tutje këtij fshati vizituam edhe disa lokacione tjera. Në mes të fshatrave Lukinë dhe Romajë është një përrua i cili pak metra para se të mbërrijë në Drinin e Bardhë, është bllokuar nga mbeturinat të shumta, përfshi edhe ato inerte.

Këto mbeturina pasi hudhen aty djegën kohë pas kohe. E pak më tutje është edhe një gyp i kanalizimit që vjen nga fshati Romajë. Aty ka një kundërmim të madh, e që në hall nga kjo janë banorët e shtëpive përreth. Ndërkaq, në fillim të fshatit Lukinë, buzë lumit gjendet një deponi e madhe ilegale kryesisht e mbeturinave inerte.

Sezair Shehu, kryetar i fshatit Lukinë thotë se disa individë të pandërgjegjshëm e kanë bërë këtë dëm. Ai thotë se është e domosdoshme që kjo pjesë të pastrohet nga mbeturinat dhe të kthehet gjendja siç ka qenë.

Gjithë verën këtu kemi ndjetë dhe jemi larë. Tani nuk e sheh askënd që hyn në lumë për shkak të ndotjes së ujit”, thotë Shehu.

Pak metra më tutje gjendet Drini Bardhë. Si në shumë pjesë të tjera të këtij rajoni, edhe në këtë vend nga gërmimet e shumta ndër vite lumi është devijuar, janë bërë gropa të mëdha e shumë kaçuba. Nga lëvizjet e kamionëve dhe ekskavatorëve aty ku duhet të kalonte lumi, është krijuar një rrugë.

Përveç ndotjes në shumë vende, në fshatin Lukinë të Prizrenit shtrati i Drinit të Bardhë është degraduar dukshëm nga eksploatuesit ilegalë. | Foto: Besnik Boletini 

Në atë pjesë po peshkonte Hasan Qollaku. Ai na tregon për pasojat konkrete që po shkakton ndotja e lumit. Qollaku thotë se ndotja e Drinit ka ndikuar që të pakësohen peshqit.

Shumë lloje të peshqve janë zhdukur. Por edhe peshku tani nuk e ka atë kualitetin që e ka pas më herët”, thotë ai.

Vërmica është fshati i fundit në Kosovë ku ndotja dhe mbeturinat e Drinit të Bardhë kalojnë në Shqipëri dhe të vazhdojë drejt Kukësit. Edhe pse përgjithësisht liqeni në Vërmicë në fillim të dhjetorit ishte më i pastër, mbeturinat kishin lënë gjurmë në disa vende.

Bujar Pulaj, kryetar i bashkësisë lokale Vermicë thotë se ndotja e liqenit nuk fillon e as nuk mbaron aty, por vjen që nga burimi i Drinit të Bardhë.

“Zakonisht mbeturinat shihen më shumë në pranverë për shkak të reshurave që fillojnë në atë kohë. Në periudhën e dimrit Drini është më i pastër”, thotë Pulaj.

Ai thotë se e gjithë kjo ndotje së pari ndikon të zhvillimi i turizmit në Vermicë.

Pulaj thotë se disa herë është tentuar të pastrohet liqeni, por ato janë pastrime simbolike dhe aksione ditore dhe bëhet vetëm në një pjesë.

Vermica është vendi ku kalon ndotja dhe mbeturinat para se të depërtojnë në Shqipëri | Foto: Besnik Boletini 

Nga Vermica kaluam në Morinë. Edhe aty pamë ujë të ndotur e mbeturina që “notojnë” sipër tij.

Në Morinë, ku edhe liqeni i Fierzës merr trajtë, ulja e nivelit të ujit gjatë verës të lejon ta përshkosh me makinë, gjë e cila gjatë muajve të dimrit dhe vjeshtës është e pamundur, pasi liqeni mbush shpatet e kodrave përreth.

Ajo çfarë mpakja e ujit gjatë verës lë pas është një mori mbetjesh, shumica prej tyre plastike të varura në shpatet e anësoreve të liqenit, tanimë të tkurrura nga rrezet e diellit.

Alban Xhaferri, banues në Kukës dhe një guidë turistike për këtë zonë, na rrëfen se gjatë dimrit, Drini i Bardhë merr me vete gjithë mbetjet e Kosovës dhe i shpie në liqenin e Fierzës në Kukës.

Ky liqen u krijua në vitin 1978, pasi u ndërtua diga e hidrocentralit të Fierzës, për shkak të prurjeve të lumenjve si Drini i Bardhë nga Kosova dhe Drini i Zi nga Maqedonia e Veriut.

Mirëpo, përpos shkëmbimeve ujore mes këtyre shteteve, prurjet e mbeturinave dhe derdhjet e ujërave të zeza kanë krijuar një ndotje konstante, pa asnjë zgjidhje prej vitesh tanimë.

“Thuajse kudo, çdo vend i liqenit është i ndotur. Ndotjet vijnë nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, por edhe nga banorët thuajse nuk ka ndonjë ndërgjegjësim që të mbajnë pastër liqenin”, shprehet Alban Xhaferri.

Ai shpreson që të merren masa nga institucionet përkatëse për parandalimin ose pastrimin e liqenit, pasi “po bëhet një problem shumë serioz”.

Gjatë verës niveli i liqenit të Kukësit bie dhe mbetjet qendrojnë të ngecura në shpatet e luginës. Gjatë dimrit ato depozitohen në liqen. | Foto: Erisa Kryeziu

Kjo situatë, madje ka ndikuar edhe nismat e tij turistike për të promovuar Kukësin dhe zonën përreth.

“Fatkeqësisht nga ndotja e tepërt që është bërë në liqenin e Kukësit është bërë i pamundur aktiviteti i sporteve ujore, pasi edhe turistët nuk e përballojnë dot, nuk e shikojnë dot në këtë gjendje që është bërë në Kukës”, rrëfen Albani, ndërsa shton më tej se edhe pse u shpall fitues i një projekti “start-up” për blerjen e pajisjeve për sportet ujore sikurse kajakët, për shkak të ndotjes masive që ka pasur liqeni, ka qenë e pamundur ushtrimi i këtij aktiviteti.

Edhe pse nuk ka asnjë banesë pranë liqenit në kufirin e Morinës, panorama që na shfaqet është mbetje plastike nga përdorimi i përditshëm, qofshin ato mbështjellëse të ushqimeve, detergjenteve për pastrim apo orendi shtëpiake.

Mbetje këto, që nëse largohemi nga Morina e shoqërojnë liqenin në të gjitha anët e tij, me pirgje që qëndrojnë në rrëpira apo të grumbulluara në bimësinë që ka lënë pas tkurrja e liqenit.

Peshkatarët, të parët që ndjejnë pasojat e ndotjes

Gëzim Doci gjuan peshk në liqenin e Fierzës prej 25 vitesh. Sipas tij, ndotja e liqenit ka bërë që aktivitete tradicionale sikurse peshkimi në këto kushte të jenë jo vetëm të vështira, por edhe të papërshtatshme në aspektin e shëndetit publik.

“Ndotja në liqenin e Kukësit është shumë e madhe. Ne jemi peshkatarë dhe gjysma e rrethit të Kukësit merren me këtë punë, për bukën e gojës, merren me peshkim. Ndotje janë shishet plastike që grumbullohen këtu, ndotjet e bagëtive të ngordhura, që ngordhin dalin në breg dhe liqenit i vjen shumë erë e keqe”, rrëfen Gëzimi.

Për shkak të ndotjes, por edhe gjuetisë së paligjshme po dëmtohen flora dhe fauna në liqen, ndërsa pasojat janë të drejtpërdrejta për ekonomitë familjare të zonës që merren me peshkim.

“Ndotja e dëmton shumë peshkun”, përfundon Gëzimi.

Për Bukurosh Onuzin, aktivist mjedisor dhe drejtues i organizatës “Ekologët për Rajonin”, me veprimtari në Kukës dhe zonën përreth, liqeni i Fierzës është një pasuri shumë e madhe, veçanërisht për sportet ujore dhe turizmin. Mirëpo, ndotja e ka frenuar këtë zhvillim.

“Një sasi e madhe mbetjesh na vjen nga Kosova, sidomos është pjesa që lidhet me Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin, duke na krijuar goxha probleme e shqetësime qoftë për pastrimin e territorit, por qoftë edhe kalimin e këtij rezervati të madh ujor në një hotspot të madh, i cili nuk mund të përdoret pastaj për turizëm, por krijon një grumbull mbetjesh që ndikon jo mirë në zhvillimin e turizmit dhe në performancën që ka bashkia dhe rajoni i Kukësit”, argumenton Onuzi.

Kjo situatë, sipas Onuzit ndikon edhe në shtimin e popullatave të peshqve.

“Ndikimi është i dukshëm. Nuk kemi shtim të popullatave”.

Një rreth vicioz ndotjeje

Shirat e dhjetorit sollën rritje të nivelit të lumenjve dhe liqeneve. Bashkë me lumenjtë u shtuan edhe mbetjet që ata sollën.

Buzë liqenit të Fierzës, përpos varkave të peshkatarëve qëndron një varkë me një kabinë prej xhami dhe një mekanizëm lëvizës. Gjatë verës mpakja e ujit të liqenit e kishte nxjerrë në breg në thatësirë, ndërsa në dimër ajo prej tre vitesh mbledh një nga një mbetjet që sjellin lumenjtë.

Varka për mbledhjen e mbetjeve plastike në liqenin e Fierzës, gjatë aktivitetit dhe e ankoruar në breg gjatë verës. | Foto: Erisa Kryeziu

“Është viti i tretë i aksioneve të pastrimit. Vitin e parë ne nxorëm nga liqeni rreth 20 ton mbeturina. Vitin e dytë rreth 18 ton pasi niveli i ujit ra shumë më shpejt. Këtë vit meqë niveli i ujit ka ardhur shumë më shpejt, po shfrytëzojmë çdo lloj mundësie që të nxjerrim sa më shumë mbeturina, siç shikohet mbrapa meje ka shumë mbeturina që kanë ardhur të freskëta nga Kosova kryesisht”, na tregon Lulzim Baumann, aktivist mjedisor dhe ekspert i ekonomisë qarkulluese.

Varka, e sjellë nga Gjermania përmes një start-upi të quajtur “Everwave” dhe e menaxhuar nga kompania “Recycling Albania” i është ofruar bashkisë Kukës, si një mundësi për të vepruar ndaj mbetjeve.

Ndërsa varka është futur në liqen për të pastruar, liqeni i Fierzës është mbështjellë nga mjegulla e dendur e dhjetorit, ndërsa mbi të lundrojnë materiale plastike që herë shtyhen nga era e herë bashkohen në breg.

“Plastikën e mbledh kompania e “Everwave” me stafin e vet, ne e nxjerrim në breg dhe pjesa e bashkisë është tërheqja nga anija dhe pozicionimi në një vend që futet në fazën e ndarjes. Pjesën e plastikës e merr kompania e çon për riciklim, ndërsa pjesa që është fundore që nuk riciklohet shkon në venddepozitimin e mbetjeve sepse është territor i bashkisë dhe ne na takon”, sqaron Valdet Cenaj, përgjegjës sektori i pastrimit në Bashkinë Kukës, ndërsa drejton varkën në liqen gjatë procesit të mbledhjes së mbetjeve.

Ndërkaq, Bujar Pulaj nga Vermica, thotë se ka dëgjuar për këtë varkë dhe se ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit që ta bëjë një kërkesë për një huazim sezonal të saj nga Bashkia e Kukësit, në mënyrë që në periudha të caktuara, këto mbeturina të mblidhen në Vërmicë dhe në këtë mënyrë do të pastrohej liqeni në këtë vend dhe ato mbeturina nuk do të kalonin në Shqipëri.
Në anën tjetër, Baumann, thotë se është shumë e vështirë të flasim për një sasi të mbetjeve që ka liqeni, pasi vjen nga tre shtete njëkohësisht.

 

Një ditë pune në liqenin e Fierzës në Kukës për mbledhjen e mbetjeve. | Foto: Erisa Kryeziu

“Kryesisht Kosova është negativisht kontribuuesi kryesor. Një pjesë vjen nga Maqedonia e Veriut përmes Drinit të Zi dhe sigurisht një pjesë tjetër sado e vogël ka impaktin e vet që vjen nga vetë Kukësi”, shpjegon ai.

Sipas tij, problemi mbetet se çdo ditë ka prurje të reja mbetjesh.

“Duhet të pranojmë që kjo situatë mund të vazhdojë edhe për 20-30 vite në momentin që nuk ndalohen mbeturinat në burim dhe ky është qëllim ynë kryesor”, tha Lulzim Baumann.

Ajo çfarë dominon nga mbetjet është plastika.

“Rreth 80-90% nga volumi janë plastika që notojnë mbi ujë. Janë shishet e plastikës, sepse plastikat e tjera janë të rënda si kovat dhe ato zakonisht mbushen me ujë dhe fundosen, kështu që presim që dhe në fund të liqenit duhet me pas shumë mbeturina. Kryesisht dominojnë shishet e ujit”, argumenton Baumann.

Baumann shpjegon se kjo ndotje është e dëmshme.

“Plastika që mbetet për disa vite në breg të liqenit degradohet nga rrezet e diellit, nga përplasjet me njëra-tjetrën dhe kalon në mikroplastikë dhe automatikisht nga mikroplastikë kalon në peshk, kalon në trupin e njeriut, kështu që impakti në shëndet është definitivisht i pashmangshëm dhe kjo është arsyeja që plastika nuk e ka vendin në liqen”, shpjegon ai, ndërsa shton se plastikat që hidhen janë edhe të kontaminuara paraprakisht, me detergjente dhe metale të renda.

“Me mbetje nga më të ndryshmet apo mbetje të shumta kimike dhe biologjike që kur shpëlahen nga uji, ato mbesin në ujë, nuk zhduken”.

Sipas Cenajt, bashkia Kukës ka dy venddepozitime të mbetjeve.

“Një do e bëjmë për mbetjet e gjelbërta, pjesërisht për mbetjet e gjelbërta për kompostim dhe tjetra venddepozitimi i mbetjeve urbane”.

Vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit, i cili ndodhet sipër liqenit shihet me sy të lirë prej së largu, si një vijë shënjuese që derdhet në liqen, për shkak të kullimit që kanë kryer mbetjet.

Liqeni i Kukësit, depozitë i ndotjes 

Në luginën e Drinit, në të cilën kalon edhe lumi i Shejës, afër fshatit Bushat të Njësisë Administrative Bicaj, dy djem të vegjël vraponin pas bagëtive që kishin nxjerrë për kullotje.

Mirëpo, në vend të barit dhe kullotës së pastër, lopët e djemve ecnin mbi një shtresë unifikuese mbetjesh plastike, në tentativë për të prekur mbi bar.

Për djemtë, kjo panoramë ishte normale, ashtu sikur për vetë bagëtinë. Pak më në anë të luginës, lumi i Shejës, i cili gjatë verës ishte i pakët zihej në pritë nga një pritëse e vogël mbetjesh, e cila ishte menjanuar duke mos e kryer më funksionin e vet fillestar, të pritës së mbetjeve.

 

Bagëtia kullot në shtratin e liqenit të Fierzës, mbushur me mbetje plastike të mbetura pas tërheqjes së liqenit në verë. | Foto: Erisa Kryeziu

Ndërsa largohesh nga liqeni, katërcipërisht në anën tjetër, në urën e vjetër të Kolcit, ku kalon edhe lumi i Lishnicës qëndrojnë disa pirgje të inerteve sterile të kromit. Situatë kjo, e cila merr përmasa edhe më të mëdha në pjesën tjetër të luginës së Drinit, ku inertet e ish-uzinës së shkrirjes së bakrit gërryhen çdo vit nga ujërat e liqenit që gjatë dimrit rrisin nivelin.

Inerte këto të përziera më tutje me grumbuj të mbetjeve plastike, mbetjeve të ndërtimit dhe masiveve të gomave të makinave. Pak më tutje, disa shtëpi private qëndrojnë përbri, e në luginë disa bagëti të tjera kullosin pa u shqetësuar nga ndotja.

Studimi: U gjetën shumë ndotës kimik dhe medikamente 

Një raport i realizuar në vitin 2023 dhe 2024 nga Anna Wemming, Rasha Ishaq dhe Ann-Louise Haglund, nga Bordi Administrativ i Qarkut Dalarna në Suedi, tregon për ndotje të shumëllojshme të Drinit të Bardhë dhe pellgut të tij.

Nga zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe nga njohësit e fushës, ky studim konsiderohet si ndër më profesionalët që është realizuar deri më tani në Kosovë.

Gjatë përgatitjes së këtij raporti, të gjitha mostrat e ujit u dërguan në laboratorët në Suedi (analizat kimike i kreu ALS Global) dhe u analizuan edhe me metoda të bazuara në efekt (për këtë u përdor laboratori BioCell Analytica).

Aty thuhet se nëntë nga 26 grupet kimike të analizuara u gjetën në ujërat sipërfaqësore.

Në vitin 2023 dhe 2024, u zbuluan 9 lloje substancash ndotëse në disa mostra të ujërave. Në shumicën e mostrave u gjetën ndotës që shkaktojnë dëme në qeliza dhe mund të ndikojnë negativisht në sistemin hormonal të njeriut”, thuhet në raport.

Gjetjet laboratorike kanë treguar se përveç disa elementeve natyrale që ndihmojnë në analizë (si karboni organik DOC dhe kalciumi Ca), në ujërat sipërfaqësore janë zbuluar metale të rënda, pesticide, substanca kimike nga plastika (ftalate), produkte farmaceutike, komponime PFAS (të njohura si “kimikatet e përjetshme” që nuk shpërbëhen lehtë në natyrë) dhe organofosfate (substanca që përdoren zakonisht në bujqësi si insekticide).

“Problemi masiv me mbeturinat në lumenj dhe përrenj duket se rezulton në ndotës në ujërat sipërfaqësore, për shembull organofosfatet, të lidhura posaçërisht me produktet plastike (shishet), u matën në të gjithë trupat ujorë”, thuhet në raport.

Një ndër segmentet e veçanta të këtij monitorimi ka qenë edhe analizimi i lëndëve farmaceutike në pellgun e Drinit të Bardhë.
Raporti thekson se janë zbuluar 34 farmaceutikë (109 të analizuara), dhe shumica prej tyre ishin antibiotikë (9 substanca), psikofarmaceutikë (4 substanca), ilaçe antiepileptikë (4 substanca), antiinflamatore (4 substanca) dhe mjekësi kardiovaskulare (4 substanca).

Përqendrimi më i lartë i një lënde të vetme është matur në Skenderaj në vitin 2024 dhe ka qenë ilaçi i diabetit Metformin.
Edhe raporti i monitorimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të Shqipërisë (AKM) që monitoron cilësinë e ujit të Drinit përmes shtatë stacioneve të vendosura në zona të ndryshme, nxori në pah se përveç ndotjes nga mbetjet, ka edhe prezencë kamiumi dhe plumbi. Prania e këtyre metaleve të rënda vihet re në dy fshatra të Dibrës dhe në ujërat e Kirit dhe Bunës.

IMG_7061-1

“Këto ujëra janë të kategorisë së parë referuar standardeve shqiptare, por me cilësi më të dobët referuar Direktivës Kuadër të Ujit të BE-së”, thuhet në raportin e AKM-së.

Aktiviteti minerar mund të jetë një burim i këtyre metaleve të rënda. Plumbi dhe kadmiumi klasifikohen si metale toksike dhe ekspozimi i gjatë ndaj tyre mund të sjellë edhe probleme shëndetësore.

Bashkëpunimi ndërkufitar i domosdoshëm

Sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, në rastet e rrezikut nga ndotja, si dhe ndotjeve të papritura apo shkarkimeve të ujërave të ndotura ose ndikimeve tjera nga ndonjë lumë i cili kalon kufijtë e Republikës së Kosovës, ministria në bashkëpunim me ministritë relevante, informon palët, shtetet të cilat rrezikohen nga gjendja e krijuar.

“Ministria obligohet të identifikojë shkaqet dhe pasojat nga ndotja dhe ndikimet tjera negative. Në afatin sa më të shkurt kohorë të filloj procedurat për ndërmarrjen e masave sanuese, si dhe të fillojë proceduarat për negocimin dhe harmonizimin e veprimeve me autoritetet kompetente të shteteve në kufij për zbatimin 11 e masave për minimizimin e rrezikut, si dhe eliminimin e rrezikut në burim të parë nga ku është ardhur ndotja apo efekti tjetër negativ në ujë”, thuhet në nenin 24 të këtij ligji.
Por, siç duket në praktikë kjo gjë nuk po ndodh.

Edhe pse ka pasur përpjekje bashkëpunimi mes ministrive të mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës, ekspertët e fushës dhe aktivistët mjedisorë ngrenë kritika se këto marrëveshje shpesh mbeten në letër, pa plane konkrete dhe hapa të zbatuar.

“Një ndër iniciativat që e shikoja një hap më të qëndrueshëm ishte vendosja e një prite, një barriere për t’i ndaluar mbeturinat nga Drini i Bardhë. Kjo iniciativë u prit mirë si fillim nga dy qeveritë”, u shpreh Lulzim Baumann.

Sipas tij edhe pse qeveria e Kosovës pranoi ta vendoste pritën, për qeverinë e Shqipërisë nuk u pa me vend që të menaxhonte mbeturinat e Kosovës.

“Sigurisht që do të kishte funksionuar barriera po të ishte vendosur sipas kërkesave të Kosovës, nëse qeveria e Shqipërisë do të kishte pranuar do të ishte një hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Pastaj do të ishte e padrejtë afatgjatë që Shqipëria të menaxhojë mbeturinat e Kosovës, pasi Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e plota, por të paktën ishte një dritë jeshile për të filluar një hap që hapi tjetër të ishte më i qëndrueshëm”, u shpreh Baumann.

Vendosja e barrierave duket zgjidhje edhe për Bukurosh Onuzin.

“Krijimi i barrierave përpara se të futet në Shqipëri të këtyre mbetjeve, do të ishte një zgjidhje e mirë, në mënyrë që jo vetëm të respektoheshin konventat ndërkombëtare për ujërat ndërkombëtare, por edhe të respektoheshin marrëveshjet dypalëshe mes dy shteteve”, shprehet Onuzi.

Ndërsa Baumann shprehet se hap më konkret është ndalimi i mbeturinave në burim, por për këtë kërkohet një bashkëpunim i fortë mes dy qeverive, por edhe mes bashkive të dy vendeve.

“Shumë punë po bëhen, por tepër shumë pak dhe shumë ngadalë në nivelin se si e kërkon puna aktuale dhe duke parë mbeturina pa fund. Çdo lumë, çdo breg liqeni i Shqipërisë, çdo breg deti nuk shpëton pa plastikë dhe kjo mund të ndalohet me ndërhyrje më të shpejta pa qenë nevoja e një ligji më perfekt”, përfundoi Baumann.

Në mungesë të një bashkëpunimi konkret, kohë pas kohe ka pasur përpjekje sporadike për të pastruar lumin dhe shtratin e Drinit të Bardhë në Kosovë.

Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova”, thotë se në bashkëpunim me komunat, shkollat dhe vullnetarët lokalë kanë zhvilluar disa aksione në zonat përgjatë Drinit të Bardhë dhe shtratit të tij.

“Më së shumti janë gjetur ambalazhe plastike, mbeturina të vogla shtëpiake, goma makinash dhe mbetje ndërtimore. Në disa zona kishte edhe grumbuj të mëdhenj inertesh dhe mbetje voluminoze”, thotë Hasanaj.

Ai thekson se në secilin aksion janë larguar disa ton mbeturina, që janë mbledhur dhe janë bartur me ndihmën e ndërmarrjeve komunale.

Lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë-Shqipëri, Fatlije Buza nga Ministria e Mjedisit, thotë se kanë kontakte të vazhdueshme me autoritetet shqiptare të mbrojtjes së ujërave. Ajo thotë se përveç me Shqipërinë, Kosova ka marrëveshje edhe me pesë shtetet e ujërave ndërkufitare që është i pellgut Drini dhe se në vazhdimësi shkëmbejnë informata me këto shtete për çdo gjë që ndikon edhe në shfrytëzim të ujit edhe në cilësinë e ujërave sipërfaqësore.

“Me Shqipërinë i kemi marrëdhëniet pak më të lira. Kemi bisedime, takohemi për projekte të ndryshme. Jemi duke u mundur që të mos i dëmtojmë në kuptimin sepse sidomos mbeturinat e plastikës janë shumë problem dhe duhet të punojmë shumë në këtë drejtim”, thotë Buza.

Duke marrë parasysh se para disa viteve liqeni i Fierzës ishte mbuluar nga mbeturinat plastike e të cilat kishin përfunduar atje nga Kosova, Fatlije Buza thotë se tani do të jenë më të kujdesshëm.

“Në qoftë se grumbullohen prapë mbeturinat, e që po shpresojmë që nuk do të ketë asi lloj grumbullimi të madh, do ta kemi parasysh dhe me marrëveshje do t’i largojmë. Nuk do t’i lejojmë të depërtojnë më në Shqipëri në atë sasinë e madhe qysh kanë depërtuar në të kaluarën”, u shpreh ajo.

Ajo thotë se si ministri kanë pasur një projekt në vitin 2024 për pastrimin e lumenjve, përfshirë edhe degët e Drinit. Sipas saj, ky aktivitet që ka pasur të bëjë me largimin e mbeturinave dhe çlirimin e shtratit të lumit në rrjedhën e vet do të vazhdojë edhe në vitin 2026 dhe se për këtë kanë bashkëpunim edhe me komunat.

“Të Drini prioriteti domethënës ka qenë ndalja e heqjes së zhavorrit dhe degradimi. Kur e sheh një degradim të lumit, t’i njëherë këqyr me rregullu degradimin, e mandej vjen ajo pjesa e kualitetit të ujit, gjallesave, rekreacioni etj”, u shpreh ajo.

Screenshot_3-2
Fshati Kramovik ku kalon Drini i Bardhë është ndër lokacionet më të degraduara nga eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit.
| Foto: Besnik Boletini

Por për t’u ndalur degradimi, duhet më shumë punë e prani në terren. Aktualisht numri i inspektorëve për ujëra është vetëm dy. Kjo tregon edhe për qasjen institucionale në raport me mbrojtjen e lumenjve.

Nga Ministria e Mjedisit thonë se ky numër është i vogël, por sipas tyre nëse niveli lokal do të angazhohej duke caktuar nga një inspektor komunal për ujërat, atëherë kjo mungesë do të vërehej dukshëm më pak.

Nga pala shqiptare, përpos kërkesave të vijueshme për intervistë me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, nuk pati vullnet për të folur për këtë çështje.

Pandëshkueshmëri e theksuar     

Si zakonisht aspektet ligjore janë të rregulluara mirë, por sfidë mbetet zbatimi siç duhet i ligjeve.

Sipas Kodit Penal të Kosovës kushdo që degradon mjedisin, dënohet me gjobë ose burgim nga 1 deri në 8 vjet, varësisht nga dëmet e shkaktuara.

Edhe Ligji për Ujërat e Kosovës parasheh gjoba nga 5 deri në 100 mijë euro, për ata që i ndotin ujërat përmes shkarkimeve të ndryshme.

Sipas të dhënave të siguruara nga Komisioni për Miniera dhe Minerale i Kosovës (KPMM), nga viti 2019 deri në tetor 2025 në shtratin e Drinit të Bardhë janë evidentuar 38 kompani dhe dy persona fizik që kanë operuar ilegalisht, si në shfrytëzim të resurseve ashtu edhe në separim të materialeve.

Në periudhën 2021 – qershor 2025, prokuroritë themelore të Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit kanë ngritur gjithsej 155 aktakuza për veprën ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit. Këto të dhëna nuk janë të kategorizuara vetëm për Drinin, por në përgjithësi për mjedisin, por duke marrë parasysh se andej kalon ky lumë, i kemi përfshirë si trend i qasjes së drejtësisë ndaj degraduesve të mjedisit.

Dënimet për ata që e ndotin dhe degradojnë mjedisin janë kryesisht me kusht ose me gjoba. Preportr ka marrë të dhënat për llojet e dënimeve që kanë marrë gjykatat në komunat ku kalon Drini i Bardhë si ajo e Pejës, Istogut, Klinës, Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit. Kërkesa ka qenë specifike vetëm me veprat që ndërlidhën me Drinin e Bardhë, por nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk bëhet një kategorizim i tillë. Sipas të dhënave të KGjK-së, nga gjykatat e lartcekura, nga viti 2002 deri në qershor 2025 janë dhënë vetëm dy dënime me burgim, 112 dënime me gjobë, 32 me kusht dhe tri vërejtje gjyqësore. Kjo tregon për dënime të buta për degraduesit e mjedisit.
01---Drini-i-Bardh---Digital---ALB01-23

Prokuroria e Prizrenit vitin e fundit ka arrestuar dhjetëra persona që kanë operuar ilegalisht në shtratin e Drinit të Bardhë. Por nga kjo prokurori thonë se politika ndëshkimore në përgjithësi, përfshirë edhe veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, ka qenë kryesisht e butë, gjë që reflektohet në shqiptimin e dënimeve me kusht dhe gjobave.

“Kjo qasje ndëshkimore nuk ka dhënë gjithmonë efektin e duhur parandalues, duke ndikuar në përsëritjen e këtyre veprave penale”, thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.

Lidhur me mosndëshkueshmërinë ndaj atyre që ndotin dhe degradojnë mjedisin, Egzona Shala-Kadiu thotë se gjykatat duhet të kenë më shumë vetëdije që nuk është vetëm vlera ekonomike ajo që duhet të konsiderohet në një aktgjykim, por janë edhe faktorë të tjerë, sepse nuk merret kurrë parasysh se kush ka jetuar aty, cilat bimësi apo gjallesa tjera.

“Nuk ka konvertim të vlerës ekomomike në vlerë mjedisore, p.sh nëse prehën dy hektarë dru, këtë e konvertojnë në vlerë ekonomike (sesa kushton një metër dru i atij lloji) dhe i jepet gjoba e caktuar. Ndërsa te rastet tjera mjedisore shkon për metër ose për ton, si p.sh vlera e zhavorrit nëse shndërrohet në ton është hajgare dhe si e tillë shqiptohet një gjobë”, thotë ajo.

Gjithashtu, bazuar në hulumtimet që janë bërë ndër vite nga Preportr, ka rezultuar se lëndët e mjedisit janë ndër më të parashkruarat nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Kjo do të thotë se ata që kanë ndotur dhe degraduar mjedisin, shpëtojnë pa dhënë asnjë përgjegjësi para ligjit.

Në pjesën e hulumtimit në terren kontribuuan: Donjeta Murselaj dhe Bashkim Shala.

Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Journalismfund Europe.

Lexo më shumë

Të tjera