E hënë, 30 Mars, 2026

Drejtori i kompanisë ‘Klub Invest’ u intervistua për shembjen e rrugës në Prishtinë

Ndaj

Shembja e një pjese të rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorin e Shtetit. Pronari i kompanisë që merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore është intervistuar, ndërsa tashmë janë pezulluar disa inspektorë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për Klankosova.tv  se personi që është marrë në pyetje është zyrtari përgjegjës i kompanisë ‘Klub Invest’.

Bazuar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Fatmir Syla, i cili është intervistuar është drejtor i këtij biznesi, që figuron se është në Komunën e Shtimes.

Ndërsa bazuar në faqen e tyre në Facebook, lokacioni i kompanisë del të jetë Prishtina.

Gashi bëri të ditur se aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informatave nëse ka elemente të veprës penale.

“Kemi marrë veprime menjëherë. Është autorizuar Policia dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë. Pas intervistimit, ai është liruar, derisa jemi në fazën e grumbullimit të informatave të plota për rastin”, ka thënë Gashi për Klankosova.tv.

Ai ka thënë se hetimet do të zgjerohen edhe në pista tjera, duke mos përjashtuar as zyrtarët komunalë, nëse sipas tij, zbulohet se dikush prej tyre ka pasur përgjegjësi mbikëqyrëse.

Klankosova.tv ka kontaktuar numrin e kompanisë që gjendet në ARBK, por personi i cili është përgjigjur refuzoi të deklarohet duke thënë shkurt “nuk është diçka që ju intereson juve”.

Ndërsa në numrat kontaktues e vendosur në faqen e kompanisë në Facebook, nuk është përgjigjur askush.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo më shumë

Të tjera