Vlera e dollarit në tregjet valutore ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i muajit korrik, krahasuar me disa monedha tjera botërore.
Indeksi i dollarit, i cili tregon vlerën e dollarit amerikan kundrejt gjashtë valutave kryesore botërore, sot në mëngjes ishte rreth 96.68 pikë, ndërsa dje në të njëjtën kohë ishte 97.23 pikë.
Në të njëjtën kohë, çmimi i euros u rrit nga 1.1775 në 1.1850 dollarë, afër nivelit më të lartë në katër vitet e fundit.
Monedha amerikane është dobësuar edhe kundrejt jenit japonez – kursi i dollarit ka zbritur në 146.50 jene, nga 147.05 jene sa ishte dje në këtë kohë.
Ndërkohë, çmimet e naftës kanë humbur një pjesë të fitimeve të djeshme. Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie nafte ka rënë 0.19 për qind, në 68.35 dollarë, ndërsa në tregun amerikan, një fuçi është liruar 0.17 për qind, në 64.40 dollarë.
Në bursat aziatike, të mërkurën po tregtohet me kujdes, në pritje të vendimit të Bankës Qendrore Amerikane (Fed) për normat e interesit, ndërsa vlera e dollarit kundrejt euros ka rënë në nivelin më të ulët në katër vjet.
Indeksi MSCI i aksioneve të rajonit Azi-Paqësor ishte në orën 07:00 në rënie prej 0.2 për qind.