Transportuesit urbanë do të vazhdojnë të mërkurën protestën për të tretën ditë radhazi. Një ditë më parë ata e ndryshuan formën – nga protestë paqësore, në atë që e bllokoi qytetin e Prishtinës.
Protesta në ditën e tretë do të vazhdojë me më pak autobusë, që të mos bllokohet komunikacioni si paraditen e së martës.
Meqë Komuna nuk ka shlyer obligimet financiare shkaku i pasojave që ka prodhuar mosmiratimi i buxhetit me kohë, ata vendosën autobusët në rrugën para objektit të këtij institucioni. Pas kësaj u krijuan kolona të gjata në kryeqytet.
E, nga takimi i së hënës me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, përfaqësuesit e protestuesve ndryshuan mendim dhe të martën kërkuan zgjidhje vetëm nga Komuna.
“Nuk i mbulon shpenzimet e naftës që i kemi borxh një milion. 800 mijë punëtorëve në rroga. 100 mijë po na shkëputen kontrata me sigurimin shëndetësor. Ju lutem janë 1.6 milion euro borxh. Komuna nuk po reflekton, po na detyron neve kinse Ministria nuk i ka alokuar paratë”, ka thënë Gashi.
Gashi tha se ministri Murati është zotuar ta kryejë pjesën e tij për gjithë buxhetin, nëse Komuna kryen detyrat.
Por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, insistoi se problemi qëndron te Qeveria.
“Faji nuk është te transportuesit, faji është i Qeverisë së Kosovës dhe ata mund të zhbllokojnë këtë gjë. Prandaj shpresoj që të reflektojnë dhe ta kemi një takim me ta”, ka thënë Rama.
Sveçla deklaroi se thirrja e seancës nga legjislatura e kaluar të Kuvendit Komunal tregon “pranimin e fajësisë” nga Rama, ndërsa e akuzoi për “shfaqje teatrale” dhe mungesë empatie ndaj punëtorëve të Trafikut Urban.
“Zhvillimet në kryeqytet janë të jashtëzakonshme, është dita e dytë që qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga shërbimet e trafikut urban dhe gjithë kjo si rezultat i politikës dhe qasjes së Përparim Ramës, Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun. Sot kishim deklaratë të Ramës që tha se thirrja e seancës për legjislaturën e kaluar të asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës është një mundësi opsionale për t’i inkasuar të hyrat vetanake dhe për të cilat ai tashmë e sa kohë ka ngritur kauzë të vetën dhe të partisë së vet. Vet ftesa për këtë seancë e dëshmon pranimin e fajësisë nga zotëri Rama, i cili ka traumatizuar qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Sveçla. “Ai ka filluar të bëjë shfaqje teatrale, siç ishin ato sot që i pamë në mesin e protestuesve, në mesin e punëtorëve të Trafikut Urban, ku në stilin e një banditesku bërtiste ‘qiti paret, qiti paret’, sepse tashmë ai e ka kuptuar që edhe punëtorët e Trafikut Urban e kanë kuptuar se ku është adresa e dështimit të ndërmarrjes së tyre”.
Osmani ka thënë se ka bërë çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe të gjejë zgjidhje, por sipas saj, ishin partitë e ish-opozitës që nuk pranuan dhe refuzuan të kthehen dhe njëherë në Kuvend para se ta nënshkruante dekretin për shpërndarje.
Abdixhiku ka shkruar se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i ka shprehur gatishmërinë Osmanit që të votohet një pako, me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it. Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. 15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vetë ai, “u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gatishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht”.
Abdixhikut i ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë? Deri dje keni thënë se seanca ka qenë antikushtetuese, prandaj s’keni marrë pjesë. Tash po del që paskeni pasë me i votu, por s’ju ka pëlqy mënyra e ftesës. Kjo është tallje me qytetarët”, ka shkruar Murati në Facebook.