Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot u zhvillua Dialogu i Parë Ekonomik për vitin 2026, ku u diskutuan rrugët drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës dhe forcimit të saj si destinacion për investime të huaja direkte, raporton KosovaPress.
Drejtori ekzekutiv i Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Gokhan Acikgoz tha se përmes këtij dialogu synohet thellimi i partneritetit, zgjerimi i tregtisë dhe inkurajimi i investimeve në Kosovë.
“Zgjodhëm aeroportin sepse nuk ka vend më të përshtatshëm për të zhvilluar diskutime dhe dialog të tillë. Pse? Sepse këtu lëviz fizikisht tregtia ndërkombëtare. Këtu zinxhirët e furnizimit lidhen me tregjet globale. Dhe këtu mbërrijnë liderë biznesi, sipërmarrës dhe diplomatë për t’i kthyer marrëveshjet në veprime konkrete. Ky aeroport, aeroporti ynë rajonal ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ përfaqëson anën praktike të bashkëpunimit ekonomik. Është infrastruktura që e shndërron dialogun në realizim konkret. Prandaj, e kemi zgjedhur këtë vend sot dhe ju mirëpresim në aeroportin tonë. Duke u takuar në këtë portë hyrëse, na rikujtohet se ekonomitë e forta ndërtohen mbi lidhje të forta dhe se lidhshmëria është themeli i prosperitetit”, tha ai.
Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila tha se me zhvillim të qëndrueshëm Kosovën do ta bëjnë histori të jashtëzakonshme përtej Ballkanit.