Protestat e transportuesve në shtetet fqinje po e pengojnë eksportin dhe importin e mallrave drejt dhe nga tregjet e BE-së, duke krijuar vonesa, kosto shtesë dhe rrezik për humbje ekonomike për bizneset e Kosovës.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësim të madh lidhur me protestat që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për bizneset kosovare.
Sipas DHTIK-së, këto protesta kanë pamundësuar në masë të madhe eksportin dhe importin e mallrave të kompanive vendore drejt dhe nga tregjet evropiane, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mallrave.
Institucioni u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. Po ashtu, i ka kërkuar BE-së që të ndërmarrë veprime urgjente për menaxhimin e situatës së krijuar nga zbatimi i sistemit të ri Entry/Exit System (EES), që ka nisur gradualisht më 12 tetor 2025 në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.
Sipas Dhomës së Tregtisë, kjo çështje është jetike për funksionimin normal të zinxhirit të furnizimit dhe për ruajtjen e stabilitetit të biznesit në Kosovë.
Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të BE-së.
Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të kontrollit të hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për vonesa, dëbime dhe humbje ekonomike.
Transportuesit paralajmëruan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse nuk gjendet zgjidhje për problemet e tyre.
Kosova, si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, pritet të ndjejë pasojat e menjëhershme të këtyre bllokadave.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas autoriteteve serbe, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë, ndërsa bllokada të ngjashme janë paralajmëruar edhe nga Mali i Zi.
‘Bazuar në njoftimin e pranuar nga autoritetet kufitare të Malit të Zi, sot me fillim në ora, 12:00 do të ketë bllokim të rrugës për kamionë, në aksin rrugor nga Rozhaja drejt pikës kufitare Kulla në territorin e tyre. Për çdo informatë shtesë kontaktoni”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka treguar se Kosova nuk është pjesë e protestave, pasi nuk ka kompani logjistike që operojnë drejtpërdrejt me vendet e BE-së, por efektet e bllokadave do të ndihen ndjeshëm.
“Për shkak të bllokadës, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra,” tha Rafuna, duke rikujtuar se sipas të dhënave të Doganës, importet vjetore arrijnë në mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet rreth 942 milionë euro.
Në përpjekje për zgjidhje, gjashtë Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 20 janar, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.
Në letër thuhet se masat e reja të BE-së “mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”.
Komisioni Evropian, përmes zëdhënësit Markus Lammert, ka bërë me dije se sistemi EES nuk ka ndryshuar rregullat ekzistuese, por vetëm siguron zbatim më të mirë të tyre. Ai theksoi se BE-ja po e ndjek nga afër situatën me bllokadat e paralajmëruara.
Sidoqoftë, përfaqësuesit e transportuesve në Ballkanin Perëndimor insistojnë se realiteti në terren ka ndryshuar, pasi tani pothuajse të gjitha shtetet përreth janë pjesë e zonës Schengen – duke e bërë të pamundur për shoferët që të operojnë normalisht pa u penalizuar për tejkalim qëndrimi.
Ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolovski, u doli në mbrojtje transportuesve dhe kërkoi që BE-ja të shtyjë zbatimin e sistemit elektronik për shoferët profesionistë, ose t’u japë atyre viza pune të posaçme, për të shmangur dëmet që po shkaktohen në sektorin e transportit.
Çka është sistemi EES? I njohur si EES (Entry/Exit System), ky sistem u vendos nëkufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12tetor 2025.
Ai pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill2026. Rregulli i ashtuquajtur “90/180 ditë” parasheh qëtransportuesit nga vendet jashtë Schengenit mund të qëndrojnë në këtë zonëmaksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.