Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka kundërshtuar planin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të realizuar fazën e dytë të liberalizimit të tregut të energjisë, e cila parashihet të nis nga muaji prill, shkruan Kujdestari.info.
“Ashtu siç e kemi thënë edhe vitin e kaluar, forma e zgjedhur për liberalizim është e gabuar, pa asnjë analizë paraprake, më mungesë mekanizmash kontrollues dhe me një mori shkeljesh të vërtetuara nga Gjykata Supreme e Kosovës. Kompanitë që dolën vitin e kaluar në liberalizim të tregut të energjisë, përpos që u erdhën faturat trefish më të shtrenjta, u përballën me reduktime të ashpra, nga të cilat pësuan dëme të mëdha zinxhirore duke nisur nga ato financiare dhe operacionale, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e bizneseve dhe vendet e punës”, thuhet në reagimin e DhTIK-së.
Gjithashtu, sipas Dhomës së Tregtisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës, i vërtetoi paralajmërimet e tyre për rritje të çmimeve dhe kostos së prodhimit, që ndikuan në rritjen enorme të importit.
“Andaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve përkatëse, që të ndërmarrin masa të shpejta për t’i vënë para përgjegjësisë akterët e energjisë, para se të jetë shumë vonë”, theksohet në reagim.