Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se kompania Devolli Corporation Sh.P.K., në pronësi të biznesmenëve Shkëlqim dhe Shkumbin Devolli, ka dorëzuar kërkesën për përfitimin e kontrollit të plotë mbi ndërmarrjen “G2 Media KS Sh.P.K.”, që operon me emrin tregtar A2 CNN Kosova, shkruan Kujdestari.info.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës të datës 6 tetor 2025, kërkesa është bërë nga përfaqësuesi ligjor Kreshnik Sheremeti, ndërsa marrëveshja për blerjen e aksioneve është nënshkruar më 27 janar 2025.
“Nga kjo datë, Autoriteti fillon procedurën e vlerësimit të përqendrimit”, thuhet në njoftim, duke konfirmuar se dokumentacioni i dorëzuar nga Devolli Corporation është konsideruar i plotë.

G2 Media KS Sh.P.K., e regjistruar në adresën Rr. “Xhevdet Doda”, kompleksi Dukagjini Residence në Prishtinë, ka si aktivitet kryesor transmetimin e programeve televizive. Sipas të dhënave nga ARBK, kjo kompani operon me emrin tregtar A2 CNN Kosova, dhe aktualisht është në pronësi të kompanisë G2 Media Sh.P.K., me drejtor menaxhues Flamur Gashi.
Nga ana tjetër, Devolli Corporation, e regjistruar në Pejë, është një ndër grupet më të mëdha të biznesit në vend, që merret kryesisht me përpunimin dhe tregtimin e kafes e çajit, por edhe me aktivitete në fusha të tjera si telekomunikimi, ndërtimtaria dhe energjia.
Ky zhvillim nënkupton hyrjen e grupit Devolli edhe në tregun mediatik, me blerjen e një televizioni që mban markën ndërkombëtare CNN, dhe që deri më tani ka funksionuar si partner lokal i A2 CNN nga Shqipëria.
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur tani procedurën për vlerësimin e përqendrimit ekonomik, për të konstatuar nëse kjo blerje ndikon në konkurrencën e tregut mediatik në Kosovë. /Kujdestari.info