Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar javën e kaluar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025, në të cilin ka përmbledhur gjetjet kryesore nga auditimet e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe fushave me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët, shkruan Kujdestari.info.
Institucionet publike e kanë mbyllur vitin 2025 me një rritje të ndjeshme të faturave dhe obligimeve të papaguara, duke e çuar vlerën e tyre në afro 295 milionë euro.
Raporti Vjetor i Auditimit tregon se detyrimet e papaguara të raportuara në fund të vitit arritën në 294.5 milionë euro. Prej tyre, rreth 237.9 milionë euro i përkasin nivelit qendror, ndërsa 56.7 milionë euro nivelit lokal.
Por ajo që bie më shumë në sy është ritmi i rritjes. Krahasuar me vitin paraprak, detyrimet e papaguara janë shtuar për rreth 98.5 milionë euro, apo afërsisht 50 për qind.
Përveç rritjes së borxheve, Auditori ka gjetur edhe probleme me saktësinë e raportimit. Sipas auditimit, detyrimet e papaguara ishin mbivlerësuar për rreth 2.8 milionë euro.
ZKA paralajmëron se kontrollet e dobëta gjatë harmonizimit të të dhënave rrezikojnë identifikimin dhe raportimin e saktë të detyrimeve, duke vënë në pikëpyetje edhe kredibilitetin e pasqyrave financiare. Auditori kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Financave forcimin e mbikëqyrjes mbi mënyrën se si organizatat buxhetore raportojnë obligimet e tyre. /Kujdestari.info/