E premte, 13 Mars, 2026

Derisa priten faturat e reja të rrymës, Kosova paguan edhe për bllokadën serbe

Ndaj

Kur Kosova paguan deri në 800 euro për të transportuar një megavat-orë (MWh) energji, qytetarët nuk paguajnë vetëm për rrymën që u shkon në prizë.

Ata paguajnë edhe për pasojat e një bllokade politike, për tensionet me fqinjët dhe për dobësitë e një sistemi energjetik që nuk arrin t’i mbulojë nevojat bazë të vendit.

Që nga viti 2020, kur Serbia bllokoi linjën e transmisionit me Kosovën, u kufizuan rrugët më të shkurtra dhe më të lira për importimin e energjisë, duke e detyruar vendin të përdorë alternativa më të kushtueshme.

Si rezultat, kostot shtesë u reflektuan drejtpërdrejt edhe në faturat e energjisë për qytetarët dhe bizneset.

Me shpalljen e tarifave të reja vjetore, që pritet të bëhet deri në fund të muajit të ardhshëm, pasiguria vazhdon të mbetet e lartë, pasi nuk përjashtohet mundësia e një tjetër rritjeje të çmimit të energjisë elektrike.

Shpresë për ndryshim ka, pasi Serbia është obliguar që deri më 1 korrik të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën, por mbetet e paqartë nëse ky vendim do të zbatohet në praktikë.

Pse Kosova importon energji?

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk mjafton për të përballuar kërkesën e konsumatorëve për energji elektrike, sidomos gjatë dimrit.

Termocentralet me qymyr janë të vjetra dhe shpesh ndalojnë së punuari, për shkak të prishjeve dhe mirëmbajtjes, ndërsa prodhimi nga burimet e ripërtëritshme mbetet i vogël.

Vetëm nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për blerje të energjisë nga jashtë.

Çmimet e transportit arritën në nivele astronomike – deri në 800 euro për MWh në ditë të caktuara gjatë vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Ekonomisë.

Autoritetet e konsiderojnë bllokimin e linjës së transmisionit nga Serbia si faktorin kryesor që rrit kostot e importit dhe të transportit.

Për një vend me rreth 1.5 milion banorë dhe një ekonomi në zhvillim, këto kosto përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare, pasi rritja e shpenzimeve për energji ndikon jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në konkurrueshmërinë e bizneseve dhe në rritjen e çmimeve për konsumatorët.

“Si pasojë e bllokadës nga ana e Serbisë, deri në 600 MW kapacitet transmisioni në kufirin Kosovë-Serbi nuk shfrytëzohet për shkëmbime komerciale – çfarë ushtron presion të vazhdueshëm mbi linjat e tjera ndërkufitare”, thonë nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Origjina e bllokadës

Problemi filloi në dhjetor të vitit 2020, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) filloi të operojë në mënyrë të pavarur.

Kosova doli nga blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe u bashkua me Shqipërinë, duke aktivizuar linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.

Që nga ajo kohë, Serbia bllokoi linjat e transmisionit të energjisë në Kosovë, dhe vendi u detyrua të tregtonte përmes kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky devijim “politik” i ka kushtuar Kosovës miliona euro në vit – konkretisht rreth 150 milionë vetëm në vitin 2024.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë sektorin energjetik.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, dy vendet arritën Marrëveshje për Energjinë në vitet 2013 dhe 2015, ndërsa në qershor 2022 miratuan edhe Udhërrëfyesin për zbatimin e tyre. Por, si shumë të tjera, as ato nuk u zbatuan kurrë plotësisht.

KOSTT-i konfirmon se Elektro-ekonomia e Serbisë (EMS) nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për tregtim të kapaciteteve me Kosovën.

“Që nga ajo periudhë [2020] e deri më sot nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë tregti komerciale të energjisë elektrike në kufirin me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kërkoi qëndrim nga operatori serb, EMS, lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Pasojat në tregun energjetik

Mosalokimi i kapaciteteve në kufirin Kosovë-Serbi ka kufizuar konkurrencën, ka zvogëluar rrugët alternative për import dhe ka rritur kërkesën dhe çmimet në kufijtë e tjerë.

Ministria e Ekonomisë thotë se ky është një faktor që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e tarifave për konsumatorët, të cilat vitin e kaluar u shtrenjtuan për rreth 16%.

Muajin e kaluar, tre operatorët energjetikë në Kosovë kërkuan rritjen e tarifave të energjisë elektrike edhe për këtë vit.

Eksperti i çështjeve energjetike, Nebih Zariqi, shpjegon për Radion Evropa e Lirë:

“Është si me rrugët tokësore – kur rruga më e shkurtër është e bllokuar, duhet përdorur rrugë më të gjata – gjë që rrit automatikisht koston e transportit. Tregtarët mund të manipulojnë edhe me çmimet për MWh”.

Megjithatë, as KOSTT-i dhe as Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk kanë publikuar shifra për vlerën totale të paguar për këto linja transmetimi gjatë pesë vjetëve të fundit.

Lexo më shumë

Të tjera