E shtunë, 14 Mars, 2026

Deri të premten dorëzohen propozimet fillestare për tarifat e energjisë elektrike

Ndaj

Në fund të kësaj jave – që nisi me reduktime në furnizimin me energji elektrike – do të dorëzohen aplikimet fillestare në procesin e shqyrtimit vjetor të tarifave.

Kësisoj, më së largu në fillim të javës së ardhshme pritet publikohen aplikimet e secilit akter për të hyrat maksimale të lejuara, përfshirë atë të KESCO-s, që do të tregojë nëse do të propozohet ngritje e serishme e çmimit të rrymës ose jo.

Situata e rënduar veçmas në kohë kur nis procesi i shqyrtimit të tarifave, në vlerësimin e Kushtrim Ahmetit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, nuk është e rastësishme.

“Kur e sheh këtë situatë çfarë po ndodhë, sidomos prej Dhjetorit e këndej, këto periudhat që s’jemi duke ditë kurrë kur po kemi reduktime, sa po kemi dhe sa s’po kemi, ti e sheh që këtu është duke u luajtur një lojë jashtëzakonisht e fëlliqur dhe e fshehtë për ta shfrytëzuar këtë periudhën e amullisë institucionale dhe vdekjes totale të ZRRE-së, në këtë rast, dhe shfrytëzoje momentumin e tillë ti dhe bëje tash të mundshme”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Ai s’ka dyshime për kërkesat që do kenë kompanitë e licencuara.

KESCO-ja, kompani të cilës ZRRE-ja i ka vendosur obligimin e shërbimit publik si Furnizues i Shërbimit Universal, ende nuk ka dorëzuar dokumentin me kostot dhe propozimet e saja.

Për paraqitjen e aplikimeve të tyre, ditët e fundit të afatit po i presin edhe akterët tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK.

Para fundit të Marsit, ZRRE-ja do të bëjë shqyrtimin e propozimeve dhe do të vendosë për vazhdimin me tarifa të njëjta ose të reja të energjisë elektrike, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 Prilli.

Në katër vitet e fundit, tri herë janë ngritur tarifat e energjisë elektrike gjatë shqyrtimeve në ZRRE, për herë të fundit në mes të prillit të kaluar, duke nxitur reagime të shumta nga qytetarët e bizneset e vendit.

Lexo më shumë

Të tjera