E mërkurë, 2 Prill, 2025

Dënohet me gati dy vjet burgim një nga administratorët e grupit “Albkings”

Ndaje

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka dënuar me një vit e nëntë muaj burgim një nga administratorët e grupit “Albkings”, F.P., për veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve” dhe “Shantazhi”.

Sipas vendimit të gjykatës, i dënuari është detyruar të paguajë edhe një gjobë prej 5 mijë eurosh. Po ashtu, telefoni i tij “Tecno Park” është konfiskuar, ndërsa një telefon tjetër “Samsung” i është kthyer.

F.P., nën nofkën “Lideri”, duke vepruar në bashkëkryerje me E.S., e njohur si “Liderja”, ka administruar grupet “Albkings” dhe “Vip Albania” në aplikacionin Telegram, ku ka shpërndarë pa autorizim fotografi dhe video të ndjeshme të 12 viktimave, si dhe të dhënat e tyre personale, duke përfshirë emrat, mbiemrat dhe numrat e telefonit.

Përveç shpërndarjes së materialeve komprometuese, ai ka kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash përmes PayPal dhe kriptovalutave, duke përfituar një total prej 2.344.44 dollarësh. Pagesat më pas i ka konvertuar në një pikë të ‘exchange’ në Gjilan.

Gjykata ka urdhëruar të akuzuarin të paguajë 120 euro në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe të fondit për viktimat e krimit. Palët e dëmtuara janë udhëzuar të ndjekin kërkesat për dëmshpërblim përmes një procesi civil.

Të pakënaqurit me vendimin kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Më shumë

Të tjera