Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat e Bilancit të Pagesave për muajin qershor 2025. Këto të dhëna tregojnë se vendi vazhdon të ketë dallim të madh mes asaj që blen nga jashtë (importet) dhe asaj që shet (eksportet), shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit, deri në fund të muajit qershor 2025, llogaria rrjedhëse që mat hyrjet dhe daljet e parave nga tregtia e mallrave, shërbimeve dhe transfertave me botën e jashtme – ka shënuar deficit prej 803.01 milionë euro. Kjo shifër është për 18.78% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rritja e deficitit lidhet kryesisht me bilancin tregtar, pra me ndryshimin mes importeve dhe eksporteve. Vetëm në tregtinë e mallrave, deficiti arriti 2.67 miliardë euro deri në qershor 2025, që është për 19.57% më i madh se në vitin paraprak.
Sipas BQK-së, eksportet e mallrave gjatë kësaj periudhe ishin 442.65 milionë euro, duke rënë lehtë me 1.29%. Ndërkohë, importet u rritën ndjeshëm me 16.08%, duke kapur shifra shumëfish më të mëdha. Me fjalë të thjeshta, për çdo 1 euro që Kosova fiton nga eksporti, shpenzon mbi 6 euro për import.
Këto të dhëna pasqyrojnë bilancin e pagesave të Kosovës me pjesën tjetër të botës, pra, sa para hyjnë në vend dhe sa dalin jashtë dhe tregojnë qartë varësinë e madhe nga mallrat e importuara. /Kujdestari.info/