Demokraci Plus (D+) kërkon nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT) anulimin e tenderit në vlerë prej 743 mijë euro për angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta – MShV (kontrata mbi vepër), pasi pozitat e parapara nuk përbëjnë shërbime të veçanta dhe të cilat nuk duhet të plotësohen sipas legjislacionit për prokurim publik, raporton Kujdestari.info.
D+, thotw se, sipas nenit 57 të Rregullores së Prokurimit Publik, Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta mund të përdoren vetëm për angazhimin e ekspertëve që ofrojnë shërbime specifike, të cilat institucioni nuk mund t’i sigurojë me kapacitetet e veta, as përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë ose legjislacionit të punës
“Kjo procedurë e prokurimit me nr. 207-26-5948-2-1-1, parasheh angazhime me kohëzgjatje prej 12 dhe 36 muajsh, me orar të plotë pune. Në mesin e profileve të kërkuara janë arkitektë, inxhinierë, ekspertë ligjorë, koordinatorë administrativë, interpretues muzealë, administratorë të databazës, dhe profile të tjera për nevojat e MKT-së dhe institucioneve vartëse të saj”.
Analizimi i dosjes së tenderit, sipas D+, tregon se pozitat e parapara përkojnë me pozita të përcaktuara në strukturën organizative të institucionit. Për më tepër, përshkrimet e punës përfshijnë detyra administrative, teknike dhe operative, si administrimi i dokumentacionit, koordinimi i aktiviteteve, mbështetja teknike, menaxhimi i hapësirave dhe shërbimet për vizitorë, e jo ofrimin e ekspertizës së veçantë që do ta arsyetonte këtë formë të angazhimit.
Për këto arsye, D+ kërkon nga MKT anulimin e këtij tenderi, pasi procedura e iniciuar nuk është në përputhje me qëllimin dhe kushtet për përdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta dhe nuk duhet të zhvillohet sipas legjislacionit të prokurimit publik. /Kujdestari.info/