Organizata Demokraci Plus (D+), e cila merret me monitorimin e prokurimit publik në Kosovë, ka publikuar një infografikë që tregon rritjen e ndjeshme të përdorimit të Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV) nga institucionet publike, raporton Kujdestari.info.
Sipas D+, këto kontrata, të parashikuara fillimisht si mekanizëm për angazhimin e përkohshëm të ekspertëve të jashtëm për detyra specifike, po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në zëvendësim të punës së rregullt administrative.
Infografika tregon se MShV-të po përdoren kryesisht për hartim dhe menaxhim projektesh, punë administrative, IT dhe asistencë teknike, si dhe shërbime juridike – fusha që në shumë raste përkojnë me detyra të përhershme të administratës publike. Kjo, sipas D+, nënvizon një devijim nga qëllimi fillestar i këtyre marrëveshjeve dhe ngrit shqetësime për anashkalim të konkurseve të rregullta të punësimit.
Të dhënat e paraqitura tregojnë një rritje mbi katërfish të numrit të këtyre marrëveshjeve në vitet e fundit: nga 21 kontrata në vitin 2022, në 40 në 2023, 79 në 2024, dhe deri në 95 në vitin 2025. Paralelisht me këtë trend, është rritur edhe kohëzgjatja e angazhimeve, nga 12 muaj, në 24, e tash deri në 36 muaj, duke e forcuar më tej dyshimin se këto kontrata po përdoren për nevoja afatgjata.
Sipas D+, kjo praktikë cenon parimet e transparencës, konkurrencës dhe menaxhimit të drejtë të burimeve njerëzore në sektorin publik. Organizata thekson se të dhënat janë nxjerrë nga monitorimi i platformës e-Prokurimi për periudhën janar–nëntor 2025 dhe shërbejnë si thirrje për rishikim serioz të mënyrës së përdorimit të kontratave të përkohshme në institucionet publike.
Infografika është publikuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian dhe SMART Balkans, ndërsa përmbajtja e saj, sipas deklaratës mohuese, mbetet përgjegjësi ekskluzive e Demokraci Plus (D+). /Kujdestari.info
