Pesë nga kompanitë më të mëdha të tregtimit të derivateve në Kosovë kanë realizuar një fitim neto prej rreth 78 milionë eurosh në periudhën katërvjeçare. Të dhënat financiare tregojnë një rritje të ndjeshme të përfitimeve të këtyre operatorëve.
Instituti GAP ka prezantuar të dhëna lidhur me fitimin neto të pesë pompave më të mëdha të derivateve në Kosovë përgjatë katër viteve.
Të dhënat janë prezantuar për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024, ndërsa GAP për burim të të dhënave ka Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar.
Në vitin 2021 pesë pompat më të mëdha të derivateve kanë pasur fitim neto 18.1 milionë euro, në vitin 2022 fitim i tyre neto ishte 14.5 milionë, në vitin 2023 fitimi ishte 18.8 milionë, ndërkaq fitim rekord është regjistruar në vitin 2024 ku pesë pompat më të mëdha të derivateve kishin fituar 26.6 milionë euro.
2021 – 18.1 milionë euro
2022 – 14.5 milionë euro
2023 – 18.8 milionë euro
2024 – 26.6 milionë euro (fitim rekord)
Në total, pesë kompanitë kanë përfituar 78 milionë euro nga viti 2021 deri më 2024.
Nga gjithsej 338.5 milionë litra karburante të importuara në Kosovë që nga janari i këtij viti, 130.6 milionë kanë ardhur nga Arabia Saudite. Përderisa në janar një litër kushtonte mesatarisht 74.8 centë, në qershor ky çmim u rrit. Një litër i importuar në qershor ka kushtuar mesatarisht 80.8 centë.
Çmimi mesatar i importit për litër ka shënuar rritje
Në janar: 74.8 centë për litër
Në qershor: 80.8 centë për litër
Çmimet e derivateve në vendin tonë vazhdojnë të mbesin ende të larta, përkundër ndalimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit në qershor. Çmimet e aktuale të naftës në tregun e Kosovës janë 1.18 euro deri 1.30 euro për litër. Derisa para konfliktit mes këtyre dy shteteve, çmimet e derivateve ishin rreth 1.15 euro.
Çmimet në Kosovë, ndryshojnë varësisht nga pikat e shitjes, lokacioni apo edhe qyteti.
Kompanitë, të cilat kanë ndikim të ndjeshëm në treg kanë çmime më të larta, e që sipas deklarimit të tyre lejon zbritje nga 3 centë deri në 5 centë për litër, kurse kompanitë e vogla nuk kanë çmime zbritëse, çmimet e tyre janë fikse, dhe i kanë çmimet më të ulëta se sa kompanitë, të cilat kanë ndikim më të madh në treg, sepse marzha e tyre e fitimit sillet nga 7 deri 10 centë për litër.
Qeveria e Kosovës, dy muaj më parë pati vendosur Udhëzim Administrativ, që rregullon marzhën e fitimit nga bizneset që merren me tregtinë me shumicë dhe pakicë të karburanteve.
Sipas këtij vendimi një biznes që merret me këtë tregti, nga shumica, nuk mund të fitojë më shumë se dy centë për litër, kurse me pakicë, i lejohet të fitojë deri në 12 cent për litër.
Fitimi me shumicë: maksimum 2 centë për litër
Fitimi me pakicë: maksimum 12 centë për litër
Një gjë e tillë është e specifikuar në nenin 4 ku përcaktohet rregullimi i çmimeve – marzha tregtare.
Në pikën 1.1 shkruan se marzha e fitimit është dy (2) euro centë për litër të produktit të shitur me shumicë kurse në atë 1.2 shkruan se fitimi është dymbëdhjetë (12) euro centë për litër të produktit të shitur me pakicë.
Kosova është e varur nga importi i karburanteve të naftës. Çmimi vendoset varësisht nga furnizimet në rajon apo në Evropë.
Përveç çmimit të blerjes, në Doganën e Kosovës, kompanitë importuese paguajnë akcizë në vlerë 0.35 euro për një litër naftë, pastaj këtu shtohet Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 18 për qind, transporti dhe shpenzimet tjera.