Çmimet e naftës mbetën nën 67 dollarë në tregjet ndërkombëtare sot duke balancuar midis shenjave të kërkesës së fortë në SHBA dhe spekulimeve të investitorëve se lehtësimi i tensioneve në marrëdhëniet ruso-amerikane mund të largonte kërcënimin për furnizimet ruse me naftë.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte pothuajse i njëjtë me mbylljen e djeshme të tregtimit dhe arriti në 66.77 dollarë. Nuk pati ndryshime të rëndësishme as në tregun amerikan, ku një fuçi u tregtua me 64.26 dollarë.
Tregjet u tronditën të mërkurën nga lajmi se presidenti i SHBA-së Donald Trump mund të takohej me homologun e tij rus Vladimir Putin që javën e ardhshme, sipas një zyrtari të paidentifikuar të Shtëpisë së Bardhë.
Pavarësisht takimit të njoftuar midis Trump dhe Putin, SHBA-të kanë vazhduar të përgatisin sanksione dytësore, paralajmëroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se ato mund të vendosen edhe ndaj Kinës.
Kina importoi 11 për qind më shumë naftë në korrik sesa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi administrata doganore në një raport paraprak.
Burimi i furnizimit nuk dihet, pasi të dhënat e plota tregtare nuk do të publikohen deri më 20 gusht. /Kujdestari.org