Sektori bujqësor në Kosovë është përballur me një rritje të kostove gjatë vitit 2025, pasi indeksi i përgjithshëm i çmimeve të inputeve bujqësore ka shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
Të dhënat e fundit tregojnë se shtrenjtimi ka prekur pothuajse të gjitha kategoritë e mallrave dhe shërbimeve që përdoren në prodhimin bujqësor, duke reflektuar tendencat e përgjithshme të tregut dhe ndikimet e jashtme në çmimet e inputeve.
Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2025 indeksi vjetor i çmimeve të inputeve në bujqësi është rritur për 1.1% për Input 1 (mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi) dhe për 2.4% për Input 2 (mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore).
Në total, indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1 + Input 2) ka shënuar një rritje prej 1.7%, krahasuar me vitin 2024.
Krahasuar me vitin bazë 2020, çmimet e inputeve kanë pësuar rritje më të theksuar: 28.5% për Input 1 dhe 59.5% për Input 2, ndërsa indeksi i përgjithshëm është rritur me 42% deri në vitin 2025.
Produktet që përbëjnë bazën për llogaritjen e këtij indeksi përfshijnë një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh si farëra, plehra, pesticide, ushqim për kafshë, materiale ndërtimore, makineri bujqësore dhe shpenzime veterinare.
Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht stabilizimit të pjesshëm në disa sektorë, kostoja e prodhimit bujqësor në Kosovë vijon të mbetet e lartë, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet përfundimtare të produkteve bujqësore në treg./Kujdestari.info/.