E diel, 1 Shkurt, 2026

Çmimet e banesave rriten sërish: Jashtë Prishtinës më shtrenjtë se në kryeqytet

Ndaj

Ndërkohë që qytetarët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese dhe qasja në strehim po bëhet gjithnjë e më e vështirë, të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e pronave të banimit në Kosovë vazhdojnë trendin e rritjes në baza vjetore. Megjithatë, pas disa vitesh rritjeje të fortë, tregu po shfaq edhe shenja të para të ngadalësimit, veçanërisht në kryeqytet, ku çmimet kanë nisur të bien krahasuar me tremujorin paraprak, shkruan Kujdestari.info.

Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB), të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e tretë të vitit 2025 (TM3), çmimet e banesave në Kosovë janë rritur për 2,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ky rritje vjetore dëshmon se tregu imobiliar vazhdon të mbetet i shtrenjtë, pavarësisht kushteve ekonomike dhe fuqisë blerëse të qytetarëve.

Në anën tjetër, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025 (TM2), çmimet e pronave të banimit kanë shënuar rënie prej 2,1 për qind, një zhvillim që sugjeron një ftohje të lehtë të tregut pas rritjeve të vazhdueshme në vitet e fundit.

Prishtina rritet më ngadalë se pjesa tjetër e vendit

Të dhënat e ASK-së tregojnë se Rajoni i Prishtinës ka shënuar një rritje vjetore më të ulët krahasuar me pjesën tjetër të Kosovës. Në TM3 2025, çmimet e pronave të banimit në Prishtinë janë rritur për 1,3 për qind krahasuar me TM3 2024. Kjo rritje më e lehte mund të lidhet me ngopjen e tregut, ofertën e shtuar të banesave dhe kufizimet e fuqisë blerëse në kryeqytet.

Ndryshe nga Prishtina, rajonet e tjera të Kosovës kanë shënuar rritje dukshëm më të lartë, me çmimet e banesave që janë rritur për 4,3 për qind në baza vjetore. Ky trend flet se kërkesa për prona po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt qyteteve dhe zonave jashtë kryeqytetit, ku çmimet ende konsiderohen relativisht më të përballueshme.

Një dekadë rritjeje me luhatje të dukshme

Të dhënat historike të IÇPB-së për periudhën TM1 2019 – TM3 2025 tregojnë se tregu i banesave në Kosovë ka kaluar nëpër faza të ndryshme rritjeje dhe rënieje. Pas rritjeve të lehta në vitet 2019 dhe 2020, tregu hyri në një fazë rritjeje më të fortë gjatë viteve 2021 dhe 2022, ku në disa tremujorë rritja vjetore arriti mbi 6 dhe 7 për qind.

Veçanërisht, në TM1 2025, çmimet e pronave të banimit shënuan rritje vjetore prej 7,8 për qind, një nga nivelet më të larta të regjistruara në vitet e fundit. Megjithatë, ky ritëm u ngadalësua në TM2 2025 me 4,2 për qind, ndërsa në TM3 2025 ra në 2,4 për qind, duke sinjalizuar stabilizim gradual të tregut.

Indeksi mbi nivelin 120 pikë, por me rënie tremujore

Sipas ASK-së, Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (2018 = 100) në TM3 2025 ka arritur vlerën 120,8 pikë, që tregon se çmimet e banesave janë rreth 20 për qind më të larta krahasuar me vitin bazë 2018. Megjithatë, kjo vlerë përfaqëson rënie tremujore prej 2,1 për qind, krahasuar me TM2 2025, kur indeksi ishte 123,4 pikë.

Mesatarja vjetore e indeksit për vitin 2024 ishte 118,1 pikë, me një rritje mesatare vjetore prej 4,0 për qind, ndërsa të dhënat e vitit 2025 tregojnë një ngadalësim të dukshëm të ritmit të rritjes.

Strehimi gjithnjë e më i paarritshëm

Pavarësisht sinjaleve të lehta të ftohjes së tregut, çmimet e larta të banesave vazhdojnë të mbeten një sfidë serioze për qytetarët, sidomos për të rinjtë dhe familjet me të ardhura mesatare. Rritja e çmimeve, e kombinuar me normat e interesit dhe kostot e ndërtimit, po e bën strehimin një luks gjithnjë e më të paarritshëm për një pjesë të madhe të popullsisë. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera