E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

Çmimet e banesave në Kosovë me rritje të vazhdueshme – 2022 dhe 2024 vitet më të shtrenjta

Ndaj

Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kadastrës së Kosovës, Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës, ka publikuar për herë të parë të dhënat për indeksin e çmimeve të pronave banesore në Kosovë.

Çmimi i pronave është rritur dukshëm nga 2018 deri 2025, veçanërisht në Prishtinë. Në nivel vendi, çmimet e pronave banesore, në tremujorin e dytë 2025 krahasuar me tremujorin e dytë 2024, ka pasur rritje 4.2 për qind. Rajoni i Prishtinës shënoi ngritje 6.5 për qind, ndërsa në rajonet e tjera 0.7 për qind.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati tha se ky është një raport i rëndësishëm për vendin dhe institucionet ndërkombëtare

“Sot, për herë të parë, ASK-ja e publikon një raport të rëndësishëm, jo vetëm për vendin, por edhe institucionet ndërkombëtare, sepse ky indeks është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky indeks, është në bashkëpunim të ngushte me ekspertizën e Bankës Qendrore, Agjencinë e Kadastrës së Kosovës, Ministrinë e Financave. Ky indeks është në harmoni me protokollin e fondit monetar. Me këtë indeks i plotësojmë indekset e nevojshme, që kërkohen sipas kritereve standarde, është indeksi i tetë që e prodhojmë në fusha të ndryshme”, tha Kastrati.

Drejtori i Departamentit të statistikave ekonomike në ASK, Ilir Berisha shtoi se ky indeks është kërkuar nga qeveria në vitin 2023. Berisha tha se ka pasur edhe asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave.

“Ky indeks ka qenë kërkesë e Qeverisë në vitin 2023, në bazë të një marrëveshje të Fondit Monetar, e cila ka qenë pikë e veçantë. Fatmirësisht, kemi pasur një bashkëpunim ndërinstitucional dhe janë krijuar grupet punuese, kemi pasur edhe asistencën teknike eksperte nga FMN që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave. Në vitin 2024 kemi pasur ngecje për shkak të prioritetit tonë për regjistrimin e popullsisë dhe më pas kemi vazhduar riformimin e grupit punues për këtë indeks”, tha Berisha.

Gëzim Ahmeti, zyrtar i statistikave të çmimeve, ka prezantuar indeksin e çmimeve.

“Në nivel vendi çmimet e pronave banesore, në tremujorin e dytë të vitit 2025 krahasuar me tremujorin e dytë të 2024, ka pasur rritje prej 4.2 për qind, kurse te rajoni i Prishtinës shënoi një rritje prej 6.5 për qind, ndërsa për rajonet e tjera ka pasur një ngritje prej 0.7 për qind. Kemi paraqitur ndryshimet vjetore në përqindje, ndryshimet mesatare duke filluar prej vitit 2019 – 2.1 për qind, 2020 – 0.2 për qind për shkak të pandemisë, 2021 – 2.4 për qind, 2022 – 4.5, 2023 3.7, 2024 – 4 për qind. Në bazë të këtij grafiku shohim se ka një trend rritës prej vitit 2018 deri më 2024 që ka arritur vlerën e indeksit prej 118.1 për qind”, tha Ahmeti.

Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) mat ndryshimet e çmimeve, duke përdorur dy tregues kryesorë: ndryshimet vjetore në përqindje, duke krahasuar një tremujor të vitit referues me vitin paraprak, si dhe ndryshimet tremujore në përqindje, duke krahasuar tremujorin referues me tremujorin e paraprak.

Lexo më shumë

Të tjera