E enjte, 12 Mars, 2026

Cila bankë po fiton më së shumti në Kosovë? Raporti i ri zbulon liderin e sektorit bankar

Ndaj

Sektori bankar në Kosovë ka nisur vitin 2026 me fitime të konsiderueshme, ndërsa Banka Kombëtare Tregtare (BKT) rezulton banka me fitimin më të madh në vend, sipas raportit të fundit të publikuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës për treguesit financiarë të sistemit bankar, shkruan Kujdestari.info.

Sipas raportit, në fund të janarit 2026 BKT ka realizuar fitim neto prej rreth 3.65 milionë euro, duke u renditur në vendin e parë për nga fitimi mes bankave që operojnë në Kosovë. Pas saj vjen NLB Bank me rreth 3.01 milionë euro fitim, ndërsa TEB Bank dhe ProCredit Bank Kosova kanë realizuar përkatësisht 2.46 milionë euro dhe 2.45 milionë euro fitim neto.

Në vendin e pestë renditet Raiffeisen Bank Kosovo me rreth 2.34 milionë euro fitim, ndërsa më pas vijnë Banka për Biznes me rreth 1.37 milionë euro dhe Banka Ekonomike me rreth 784 mijë euro fitim. Në fund të listës janë PriBank me rreth 47 mijë euro fitim, ndërsa Ziraat Bank dhe Credins Bank kanë rezultuar me humbje gjatë kësaj periudhe.

Në total, sipas raportit, sistemi bankar në Kosovë ka realizuar rreth 15.8 milionë euro fitim neto, ndërsa të ardhurat totale të bankave kanë arritur në rreth 35.8 milionë euro.

Mbi 9 miliardë euro asete në sistemin bankar

Raporti tregon se sektori bankar në Kosovë vazhdon të rritet edhe për nga madhësia e kapitalit dhe aktivitetit financiar. Asetet totale të bankave kanë arritur në rreth 9.43 miliardë euro, ndërsa kreditë neto të dhëna për qytetarë dhe biznese janë rreth 6.49 miliardë euro.

Sa i përket depozitave, bankat në Kosovë mbajnë rreth 7.75 miliardë euro depozita të qytetarëve dhe bizneseve, duke treguar një nivel të lartë besimi në sistemin bankar.

Raiffeisen mbetet banka më e madhe për nga asetet

Edhe pse BKT prin për nga fitimi, Raiffeisen Bank Kosovo mbetet banka më e madhe në vend për nga asetet, me rreth 1.88 miliardë euro, që përbëjnë rreth 20 për qind të gjithë sistemit bankar. Pas saj renditen NLB Bank me rreth 1.64 miliardë euro asete dhe BKT me rreth 1.50 miliardë euro.

Mbi 4 mijë punonjës dhe 233 degë bankare

Raporti jep edhe të dhëna për infrastrukturën e sektorit bankar. Në gjithë sistemin bankar në Kosovë punojnë rreth 4,142 punonjës, ndërsa bankat operojnë përmes 233 degëve në gjithë vendin. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera