E shtunë, 14 Mars, 2026

Çfarë ndodhi me paratë tona për 23 vjet? Rritje, humbje dhe rikuperim në Trust

Ndaj

Viti 2025 shënon një nga periudhat më të suksesshme në historinë e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), si për nga kthimi nga investimet, ashtu edhe për nga rritja e mjeteve neto të menaxhuara. Të dhënat zyrtare të raportit vjetor tregojnë se gjatë vitit 2025, Trusti ka realizuar 308.9 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke e bërë këtë vitin me performancën më të mirë që nga themelimi i fondit në vitin, shkruan Kujdestari.info.

Të dhënat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) për periudhën 2002-2025 paraqesin një panoramë të qartë të mënyrës se si janë menaxhuar kursimet pensionale në kushte të ndryshme ekonomike, nga vitet e para të funksionimit, krizat financiare globale, e deri te periudhat e rritjes së qëndrueshme të tregjeve financiare.

Që nga fillimi i operimit në vitin 2002, Trusti ka kaluar nëpër cikle të ndryshme investuese, me vite të fitimeve të larta, por edhe me humbje të konsiderueshme në periudha krizash, veçanërisht në vitet 2008, 2018 dhe 2022, raporton Kujdestari.info.

Vitet e para: rritje e ngadalshme, por stabile

Në periudhën 2002–2007, kthimet nga investimet kanë qenë kryesisht pozitive, megjithëse në vlera relativisht të ulëta krahasuar me vitet e mëvonshme. Gjatë këtyre viteve, çmimi i njësisë së Portofolit Standard është rritur gradualisht nga 1.0002 euro në 1.2182 euro, duke reflektuar një fazë konsolidimi dhe ndërtimi të bazës së fondit.

Kriza financiare globale dhe goditja e vitit 2008

Viti 2008 shënon një pikë kthese negative për Trustin, kur si pasojë e krizës financiare globale, kthimi bruto nga investimet ishte –91.3 milionë euro, ndërsa çmimi i njësisë ra me 29.36%. Ky vit mbetet humbja më e madhe vjetore në historinë e Trustit, duke reflektuar ekspozimin e fondit ndaj tregjeve ndërkombëtare.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se kjo humbje nuk ishte strukturore, pasi që pas vitit 2008, fondi hyri në një fazë rimëkëmbjeje të shpejtë.

Rimëkëmbja dhe zgjerimi pas krizës

Në vitet 2009-2014, Trusti ka shënuar kthime pozitive pothuajse çdo vit, me rritje të ndjeshme të çmimit të njësisë. Veçanërisht vitet 2009, 2012 dhe 2013 dallohen për performancë të fortë, me rritje vjetore që shkonin deri në 14.11% dhe 8.48%.

Në këtë periudhë, mjetet neto të Trustit janë rritur nga rreth 254 milionë euro në mbi 1.08 miliardë euro, duke reflektuar kombinimin e kthimeve pozitive dhe rritjes së kontributeve vjetore.

Vite të përziera, stabilitet dhe luhatje

Periudha 2015–2019 karakterizohet nga rritje më e moderuar, por kryesisht stabile. Edhe pse viti 2018 shënoi humbje prej –84.7 milionë euro dhe rënie të çmimit të njësisë për 5.28%, kjo u pasua nga një nga vitet më të mira historikisht – 2019, me 160.7 milionë euro kthim bruto dhe rritje të çmimit të njësisë për 8.87%.

Kjo periudhë tregon se, pavarësisht luhatjeve vjetore, trendi afatmesëm i Trustit ka mbetur rritës.

Pandemia, rritja dhe goditja e re

Gjatë viteve 2020–2021, pavarësisht pasigurisë globale të shkaktuar nga pandemia, Trusti ka shënuar kthime pozitive, veçanërisht në vitin 2021, kur kthimi bruto arriti 227.3 milionë euro dhe çmimi i njësisë u rrit për 10.65% – një nga rritjet më të larta vjetore.

Megjithatë, viti 2022 solli një tjetër goditje, me humbje prej –120 milionë euro dhe rënie të çmimit të njësisë për 5.54%, si pasojë e zhvillimeve në tregjet financiare ndërkombëtare.

Bilanci afatgjatë- çfarë tregojnë shifrat?

Në total, për periudhën 2002–2025, Trusti ka realizuar mbi 1.3 miliardë euro kthim bruto nga investimet, ndërsa mjetet neto të menaxhuara kanë arritur në mbi 3.14 miliardë euro. Çmimi i njësisë së Portofolit Standard është rritur për 98.89% krahasuar me fillimin, duke dëshmuar rritje afatgjatë të kursimeve pensionale, pavarësisht krizave periodike.

Të dhënat e raportit tregojnë se Trusti Pensional i Kosovës ka qenë i ekspozuar ndaj cikleve të tregjeve financiare globale, por në perspektivë afatgjatë ka arritur të ruajë një trend rritës. Vitet me humbje kanë qenë të rralla dhe të ndjekura nga periudha rikuperimi, ndërsa vitet me performancë të lartë kanë luajtur rol kyç në kompensimin e rënieve të përkohshme.

Në këtë kontekst, raporti paraqet një histori të menaxhimit afatgjatë të kursimeve pensionale, ku rezultati final nuk matet nga një vit i vetëm, por nga e gjithë periudha e funksionimit të fondit. /Kujdestari.info/

Raporti:

Lexo më shumë

Të tjera