Kryetari i Sindikatave të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante, pasi me pagën mesatare prej 350 deri 370 euro nuk mund të mbulohen as nevojat bazë të një personi, e aq më pak të një familjeje.
Ai për Ekonomia Online theksoi se, sipas normave ndërkombëtare, paga e një punëtori duhet të mbulojë nevojat e katër anëtarëve të familjes, gjë që në Kosovë nuk ndodh.
“Këtu kemi një gjendje jashtëzakonisht të rëndë sepse nëse e marrim një pagë mesatare te kompanitë publiko-private që i quajmë ne, paga e tyre është diku rreth 350 deri 370 euro. Me një kosto të tillë, me këto shpenzime tani më fillon sezoni i dimrit, ka filluar edhe sezoni i mësimit, paramendo se çfarë mund të bësh me një pagë prej 370 euro, ku sipas normave ndërkombëtare, një pagë e një punëtori duhet t’i mbuloj kërkesat e katër anëtarëve të familjes, e cila me këtë pagë që po e marrin nuk mund të mbuloj kërkesat e as një personi. Ne e dimë se si po jetojmë, ne po e dimë se si po shkojmë tutje”, tha Azemi.
Kreu i sindikatës theksoi se çdo pagë nën 800 euro është e pamjaftueshme për një jetë normale në Kosovë.
“Për momentin unë mendoj, por gjithçka çka mbetet nën 800 euro është diçka që nuk mund t’ia dalë, është shumë normale që shpenzimet janë shkuar tepër, tepër shumë. Ne jemi shteti në rajon me pagën më të vogël minimale dhe jemi me mbikëqyrjen më të vogël të ligjit të punës dhe ligjeve të tjera që kanë të bëjnë, që fatkeqësisht ne jemi në fund të pusit për momentin me gjithçka, me mungesë të marrëveshjes kolektive, mungesë të një page minimale po themi solide, sepse ne me këto paga minimale nuk kemi kërkuar luks por kemi kërkuar që të mbijetojmë”, tha ai.