Ekonomia

BQK ua ndryshon rregullat kompanive të sigurimit: Klientët duhet ta dinë saktë për çfarë paguajnë dhe çfarë nuk u mbulohet

Nga Kujdestari Media

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar rregulla të reja për kompanitë e sigurimeve, me qëllim forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjen e transparencës në treg, raporton Kujdestari.info.

Ndryshimet prekin mënyrën se si kompanitë duhet t’ua ofrojnë dhe shpjegojnë produktet e sigurimit qytetarëve. Sipas rregullave të reja, klientët duhet të marrin informacion më të qartë për atë që po blejnë, përfshirë mbulimin, përjashtimet, kufizimet, primet, kostot dhe tarifat.

Një nga risitë kryesore është Dokumenti Informues për Produktin e Sigurimit (DIPS), i cili do të standardizohet për produktet e sigurimit jo-jetë. Përmes këtij dokumenti, para lidhjes së kontratës, konsumatori do të ketë një pasqyrë të përmbledhur dhe të krahasueshme të elementeve kryesore të sigurimit.

Kjo do të thotë se qytetari duhet ta ketë më të lehtë të kuptojë se çfarë mbulon sigurimi, çfarë nuk mbulon dhe sa janë kostot, para se të nënshkruajë kontratën.

Rregullat e reja përcaktojnë gjithashtu se produktet e sigurimit duhet të hartohen duke marrë parasysh nevojat, objektivat dhe profilin e rrezikut të klientëve për të cilët janë destinuar. BQK synon kështu të parandalojë edhe shitjen e produkteve që nuk janë të përshtatshme për konsumatorin.

Ndryshime ka edhe në mënyrën e reklamimit të sigurimeve. Kompanitë dhe ndërmjetësuesit duhet të ofrojnë informacion të qartë dhe transparent, ndërsa komunikimi me klientët, përfshirë atë përmes kanaleve digjitale, duhet të jetë i kuptueshëm dhe efektiv.

Për herë të parë, në mënyrë të strukturuar, rregullorja trajton edhe konsumatorët e cenueshëm, duke kërkuar që kompanitë e sigurimeve të marrin masa për trajtim të drejtë dhe qasje më efektive në informacion dhe shërbime.

BQK ka forcuar gjithashtu përgjegjësinë e organeve drejtuese dhe funksioneve të kontrollit të kompanive për zbatimin dhe monitorimin e standardeve të reja.

Sipas BQK-së, qëllimi i kësaj kornize është rritja e transparencës, parandalimi i praktikave të papërshtatshme të shitjes dhe fuqizimi i konsumatorëve për të marrë vendime më të informuara.

Rregulloret e reja janë miratuar më 27 gusht 2026, ndërsa siguruesit kanë një periudhë tranzitore prej 12 muajsh për zbatimin e plotë të kërkesave të reja. /Kujdestari.info/

Lexo edhe:

Qytetarët paguan 110 milionë euro për sigurime- sa para kthyen kompanitë për dëme?