E enjte, 5 Mars, 2026

BQK mbyll vitin me rënie financiare: Asetet bien për mbi 340 milionë euro brenda një muaji

Ndaj

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat financiare për muajin dhjetor 2025, duke ofruar pasqyrë të detajuar mbi Bilancin e Gjendjes, Pasqyrën e BQK-së dhe Asetet Rezervë. Të dhënat tregojnë një rënie të konsiderueshme të aseteve dhe depozitave krahasuar me muajin paraprak, shkruan Kujdestari.info.

Sipas kalendarit zyrtar të publikimeve, BQK ka bërë të ditur se asetet totale të saj në fund të muajit dhjetor 2025 arritën vlerën prej 1.73 miliard euro, duke shënuar një rënie prej 342.65 milionë eurosh krahasuar me muajin nëntor 2025. Kjo rënie lidhet kryesisht me uljen e depozitave të Buxhetit të Republikës së Kosovës përmes Llogarisë së Thesarit, si dhe me rënien e depozitave të bankave komerciale dhe fondeve pensionale.

Nga gjithsej asetet, vlera e investimeve të BQK-së në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit më 31 dhjetor 2025 ishte rreth 1.22 miliard euro. Krahasuar me muajin paraprak, këto investime janë zvogëluar për 379.86 milionë euro. Rënia ka ardhur kryesisht nga ulja e investimeve në depozita për 397.86 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë kanë shënuar rritje prej 18.10 milionë eurosh.

Ndërkohë, depozitat totale në BQK deri më 31 dhjetor 2025 ishin 1.44 miliard euro, duke shënuar një rënie prej 343.93 milionë eurosh krahasuar me periudhën paraprake.

Sa i përket kapitalit, kapitali i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në fund të dhjetorit 2025 ishte 129.17 milionë euro.

Po ashtu, asetet e rezervës ndërkombëtare në fund të muajit dhjetor arritën vlerën prej 1.29 miliard eurosh, duke shënuar një rënie prej 346.87 milionë eurosh krahasuar me muajin paraprak. Sipas BQK-së, kjo rënie ka ardhur kryesisht si pasojë e uljes së parasë së gatshme dhe depozitave për 346.12 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë ulur vetëm për 1.96 milionë euro. /Kujdestari.info/

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

Lexo më shumë

Të tjera