Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka njoftuar se llogaritë e saj bankare janë bllokuar në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë, raporton Kujdestari.info.
Sipas NPB-së, bëhet fjalë për një kontratë të lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar, për të cilën ndërmarrja pretendon se “dëmton interesin publik”.
NPB-ja thotë se e ka kundërshtuar vendimin në të gjitha instancat juridike dhe më 24 qershor 2026 ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës. Në revizion, sipas ndërmarrjes, janë ngritur pretendime për shkelje procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale, përcaktimin e përgjegjësisë së NPB-së dhe mënyrën e llogaritjes së mbi 32 milionë eurove si “fitim i humbur”.
Ndërmarrja pretendon se kjo shumë nuk përfaqëson mjete që janë investuar, por fitim të pretenduar si të humbur.
Megjithatë, sipas NPB-së, vetëm një ditë pas ushtrimit të revizionit është nxjerrë urdhri përmbarimor, ndërsa procedura ka vazhduar deri në bllokimin e llogarive bankare.
NPB-ja thotë se, bazuar në informacionet që posedon, revizioni ende nuk është dërguar nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Supreme.
“Pse përmbarimi po ecën me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërkohë që revizioni, përmes të cilit kërkohet kontrolli i ligjshmërisë së vetë vendimit, ende nuk është dërguar në instancën më të lartë gjyqësore?”, pyet ndërmarrja.
Sipas NPB-së, bllokimi i llogarive rrezikon jo vetëm financat e saj, por edhe funksionimin e ndërmarrjes publike dhe pagat e më shumë se 300 punëtorëve.
Ndërmarrja ka kërkuar nga institucionet kompetente transparencë dhe trajtim urgjent të çështjes, ndërsa nga Gjykata Supreme ka kërkuar që të ndërmarrë masa të shpejta për mbrojtjen e interesit publik.
NPB-ja ka deklaruar se do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion, duke pretenduar se mbi 32 milionë euro të pasurisë publike rrezikojnë të përfundojnë në përfitim të kompanive private.
Në fund, ndërmarrja ka ftuar mediat, organizatat joqeveritare dhe institucionet relevante që ta përcjellin rastin dhe të luajnë rolin e tyre në mbrojtjen e pasurisë publike. /Kujdestari.info/