E shtunë, 14 Mars, 2026

Bjeshkët e Deçanit, destinacion atraktiv për turizëm dimëror

Ndaj

Bjeshkët e Deçanit mbesin potencial atraksioni dhe turizmi, thuajse në çdo stinë. Në vazhdimësi janë shoqata bjeshkatare “Mariashi” dhe Klubi i skitarëve, që bëjnë përpjekje në promovimin e potencialeve që ofron kjo zonë, sidomos në tërheqjen e turistëve.

“Bjeshka e Madhe e ofron këtë mundësi është me një disnivel më të mirë, më të lartë. Këtu jemi në një lartësi mbidetare diku 2300 metra, deri në fund të pistës është një pjerrtësi apo disnivel prej 500-600 metrave, është pak më e egër, krijon më shumë adrenalinë edhe adhuruesit e duan këtë më shumë”, tha Mentor Januzaj, përfaqësues i klubit të skitarëve “Mariashi” në Deçan.

Një mundësi e jashtëzakonshme për skijm ofron edhe pista prej 2.4 kilometra dhe bora cilësore që mbulon këto bjeshkë.

“Është karakteristikë prej bjeshkëve tjera që e bën pjerrtësia e mirë për skijim dhe lartësia pothuajse është si piramidë e cila e lidh skijimin. Gjithashtu e bëjnë të veçantë edhe temperaturat e Gjervaicës të cilat e mbajnë edhe borën më gjatë dhe kualitative. Mjafton vetëm një herë me ardh me e shijua atëherë nuk ka nevojë me folë se e shohin vet cila është rëndësia e kësaj bjeshke për skijim”, tha profesor, Ramë Dobraj, ekspert i skijimit.

Numri i adhuruesve të sporteve të bardha në këtë zonë po rritet. Nuk janë të paktë as vizitorët e përtej kufirit.

“Kam dy shokë nga Deçani që jetojmë bashkë në Belgjikë edhe posa erdhëm për disa ditë. Erdhëm në pistë me këta çunat edhe po më pëlqen kjo iniciativa e këtyre të Deçanit të cilat kanë zgjidhë edhe mënyrën e transportit, d.m.th një aventurë e bukur”, tha Besim Dedvukaj.

“Është hera e parë që jam këtu dhe është e papërshkrueshme bukuria edhe uroj që sa më shumë të bëhen investime në këtë regjion në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht prej adhuruesëve të skijimit”, Fatos Haxhosaj.

E në funksion të promovimit të këtyre resurseve turistike, këto shoqatat, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe federatën e skitarëve, janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për garat në siktari, në të gjitha kategoritë, të cilat do të organizohen më 15 mars të këtij viti.

Lexo më shumë

Të tjera