Biznesmeni Hamdu Malushaj, ka bërë të ditur se i është shkëputur energjia elektrike pas skadimit të afatit të dhënë nga ZRRE-ja për të lidhur kontratë për shërbime të energjisë elektrike në tregun e hapur, shkruan Kujdestari.Info.
Ai ka thënë se me këtë veprim ua kanë nxjerrë punëtorët në rrugë. Madje, sipas tij, këto veprime janë sikurse ato të viteve 90-ta.
Bizneseve u ishte dhënë kohë 60 ditë si periudhë tranzitore për të dal në tregun e hapur të energjisë, porse edhe ky afat ishte kundërshtuar, duke vlerësuar se ishte i shkurtër dhe pa konsultim paraprak me bizneset.
Ky afat dy mujor kishte kaluar me 30 korrik 2025, por më pas ligji ishte dërguar në Gjykatë, ku para pak javesh Gjykata Komerciale mori vendim që bizneset të dalin në tregun e hapur dhe pas këtij vendimi, ZRRE-ja vendosi 15 gushtin si afat të fundit për nënshkrimin e kontratave.
Ndërsa, nga sot 16 gusht, ka filluar shkyçja e energjisë elektrike për ato biznese që nuk kanë nënshkruar kontratë për të dalë në tregun e hapur.
Shkrimi pa ndërhyrje i Malushajt:
Edhe këtë e përjetuam!
Bizneset po sulmohen në mënyrë të organizuar, nën heshtjen e institucioneve dhe në bashkëpunim të hapur me ZRRE.
Na shkëputën nga energjia elektrike, duke nxjerrë punëtorët tanë në rrugë!
Këto veprime na rikujtojnë vendimet e padrejta të viteve ’90 – kur i forti vendoste mbi kurrizin e të dobëtit.
Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë, bizneseve dhe familjeve tona.

Ja vendimi dhe ma kan shkeput rrymen 1400 bashkpuntor ne rrug te cilve ju boj thirrje te shkojn para qeveris te kerkojn llogari dhe vende pune ne kushte te njejta!