Një numër i madh biznesesh nuk e nisën punën si zakonisht, meqë gjatë fundjavës KEDS me urdhër të ZRRE-së dhe me prani të Policisë i la pa rrymë rreth 450 biznese në Kosovë duke shkaktuar telashe të mëdha në operimin e tyre.
Të shtunën KEDS bëri me dije se ka nisur shkëputjen e energjisë elektrike në të cilën listë janë rreth 450 biznese. ZRRE-ja bëri të ditur se procesi i shkëputjes së energjisë elektrike do të vazhdojë. Pronari i një fabrike për prodhimin e këpucëve Ahmet Kuçi, i cili numëron rreth 300 punonjës thotë se kompania e tij mbi 70% të prodhimit e ka për eksport dhe se tregu i hapur energjetik po ia rrezikon humbjen e kontratave që ka nënshkruar.
“Jo unë kom punu edhe në kushte ma të këqija kom pas Serbinë mbi kry e se kom ndalë punën, unë nuk dorëzona po mbesim me shpresë që del dikush ma i menqëm e ndalë këtë telashe. Se në vitin 2025 nuk do duhej të ishte temë, energjia elektrike, kanalizimi, rruga kjo është primitivizëm…”, tha Ahmet Kuçi, afarist.
Urdhëri i ZRRE-së për ç kyçje të energjisë elektrike për bizneset të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë me shit-blerës të energjisë elektrike, pasoi vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale e cila anuloi vendimin për pezullimin e tregut të hapur energjetik. Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, pret që vendimi final i Gjykatës Komerciale të anulojë në tërësi tregun e hapur energjetik, meqë, siç thotë faktet se Kosova nuk është e gatshme për këtë tranzicion janë në favor të bizneseve.
“Edhe jam i bindur që KEDS do të detyrohet t’ua kthejë bizneseve mjetet me interes…”, tha Shahini.
Padi kundër ZRRE-së, ka paralajmëruar edhe Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari Lulzim Rafuna bëri të ditur se Oda Ekonomike vendimin e ZRRE-së do ta ankimoj në Gjykatën Supreme. Por, deri sa Gjykatat të japin një vendim final lidhur me tregun e hapur energjetik, tashmë bizneset kanë nisur procedurat për largimin nga Kosova.
“Unë veç jam në Tiranë e kam një linje atje. Por e kemi gjete edhe një fabrikë në Kukës të cilën po shohim mundësitë që ta marrim meqë punëtorët nuk mund t’i çojë të gjithë në Tiranë. Në Kukës kemi më shumë leverdi por do të detyrohem të blej autobus për t’i bartë punëtorët që është kosto shtesë”, tha Ahmet Kuçi, afarist.
Ndërkohë, drejtoresha e AKB-së, Lumnije Hajdini, ka ngritur alarmin se fabrika Simtex e cila merret me prodhim të tekstilit dhe ka të punësuar mbi 140 punëtor, gjysmës prej tyre ua ka bërë me dije se deri në fund të muajit është detyruar që t’i pushojë nga puna. Ndërsa, bizneset e tjera në Kosovë tashmë veç se kanë nisur që t’i rrisin çmimet e produkteve të tyre, gjë e cila sipas ekspertëve të ekonomisë do të shkaktojë një valë të re të inflacionit dhe do ta destabilizojë ekonominë në Kosovë.