Kosova nuk njihet si një treg me konsum veçanërisht të madh të alkoolit, por shifrat e importit tregojnë se edhe për birrë, verë dhe pije të forta nga jashtë po shpenzohen miliona euro. Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, në vend kanë hyrë pije alkoolike me vlerë mbi 21 milionë euro, shkruan Kujdestari.info.
Birra, verë, vodka, whisky, gin-i dhe pijet e tjera të forta, të dhënat doganore tregojnë një treg të konsiderueshëm të produkteve të importuara. Në mesin e tyre dominon bindshëm birra, për të cilën janë shpenzuar rreth 11.6 milionë euro nga janari deri në gusht.
Vetëm gjatë muajit gusht, importi i përgjithshëm i pijeve alkoolike arriti në rreth 3.74 milionë euro, prej të cilave rreth 2.32 milionë euro ishin vetëm për birrë.
Pas birrës vijnë pijet e forta alkoolike, ndërsa vetëm importi i verës gjatë tetë muajve arriti në rreth 2.97 milionë euro.
Në kategoritë më specifike, për vodka janë shpenzuar rreth 1.49 milionë euro, për likere rreth 1.18 milionë euro, për whisky rreth 586 mijë euro, ndërsa për gin mbi 522 mijë euro.
Një pjesë tjetër prej rreth 2.31 milionë eurosh përfshin kategori të tjera të pijeve të forta alkoolike, ku përfshihet edhe rakia. Të dhënat tarifore nuk e ndajnë rakinë në mënyrë të tillë që e gjithë kjo shumë të mund t’i atribuohet vetëm asaj.
Edhe harta e origjinës së alkoolit të importuar është e gjerë. Në total, më së shumti pije alkoolike janë importuar nga Sllovenia, me rreth 5.8 milionë euro, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me rreth 3.54 milionë euro dhe Italia me rreth 2.68 milionë euro.
Pas tyre vijnë Serbia me rreth 1.89 milionë euro, Franca me 1.31 milionë euro dhe Mali i Zi me rreth 1.07 milion euro.
Kur shikohet sipas llojit të pijes, dallimet bëhen edhe më interesante. Vera e importuar vjen kryesisht nga Maqedonia e Veriut, ndërsa te whisky kryesojnë produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Te gin-i dominimi britanik është edhe më i theksuar. /Kujdestari.info/