E premte, 6 Shkurt, 2026

Birra nga Shqipëria i shpëton padisë në Kosovë, ‘Birra Peja’ tërhiqet nga gjykata

Ndaj

Gjykata Komerciale e Kosovës ka mbyllur rastin e bujshëm që lidhej me pretendimet e “Birra Peja” SH.A. për shkelje të markës tregtare dhe dizajnit të produktit të saj nga kompania “United Capital Ventures” nga Shqipëria, shkruan Kujdestari.info.

Rasti kishte të bënte me akuzat se birra “VATAN” po shkelte markën e regjistruar “Birra Peja”, duke kërkuar madje edhe ndalim prodhimi, shitjeje dhe konfiskim të produkteve nga tregu.

Por, para se gjykata të hynte në thelb të çështjes, paditësi është tërhequr. Jo për shkak se u provua shkelja, e as sepse u fitua beteja ligjore, por sepse vetë “Birra Peja” hoqi dorë nga padia dhe nga kërkesa për masë sigurie ndaj njërës palë, duke ia lënë secilës palë barrën e shpenzimeve të veta.

Kjo është konstatuar zyrtarisht nga Gjykata Komerciale e Kosovës, e cila në aktvendimin e saj thotë se “KONSTATOHET se është tërhequr padia dhe propozimi për caktimin e masës së sigurimit i propozuesit të sigurimit ‘Birra Peja’ SH.A., me numër KE.nr.806/25 të datës 29.08.2025, kundër të paditurit/kundërshtarit të parë të sigurimit ‘United Capital Ventures’ me NIPT: L12212001V, me seli në Shqipëri”.

Gjykata sqaron se tërheqja është bërë përmes përfaqësuesit ligjor të paditësit, i cili ka njoftuar se çështja ndaj kompanisë nga Shqipëria tashmë po trajtohet nga një gjykatë tjetër në Tiranë. Për pasojë, Gjykata Komerciale në Prishtinë ka vendosur të mos vazhdojë më tej procedurën. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera