Projekti për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhte Prishtinën me Durrësin vazhdon të mbetet në fazën e planifikimit, pavarësisht se konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo linjë hekurudhore, e quajtur edhe “Hekurudha Kuq e Zi”, pritet të kushtojë rreth 1.8 miliardë euro, por ndërtimi i saj ende nuk ka nisur.
“Pluhurin” që kishte mbuluar projektin e hekurudhës që do të lidhte Prishtinën me Portin e Durrësit e ka larguar disi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ditët e fundit ka folur për këtë projekt dhe e ka cilësuar atë si një nga përparësitë e qeverisë së tij.
Z.Rama ka bërë të ditur se projekti po ecën drejt fazës së zbatimit, ndërsa ka theksuar se në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë diskutuar edhe për mundësitë e financimit.
“Ka përfunduar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e kombit Durrës–Prishtinë, me gjatësi 105 kilometra, 14 tunele dhe 43 ura. Në takimin e fundit me kryeministrin Albin Kurti kemi folur edhe për dy pista financimi të huaja, të cilat do t’i eksplorojmë bashkërisht”.
Sipas tij, linjat hekurudhore do të ndërtohen duke respektuar standardet e Bashkimit Europian dhe do të jenë pjesë e planit për elektrifikimin e rrjetit hekurudhor.
Këto deklarata, kryeministri Rama i bëri gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me grupin parlamentar socialist, ku foli për projektet infrastrukturore të realizuara dhe ato që planifikohen të zbatohen gjatë mandatit të tij.
Muajin e kaluar, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Kosovë ku u takua me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Në këtë takim, z. Kurti bëri të ditur se mes të tjerash kanë diskutuar edhe për projekte infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë për realizimin e tyre në këtë mandat të dy qeverive.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit.
Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare”.
