Gjykata Europiane: Për të përfituar ndihma sociale vendet europiane mund të kërkojnë që aplikuesi të ketë një leje afatgjatë qendrimi në vendin përkatës, kur vjen nga një vend jashtë BE-së.
Parimi i trajtimit të barabartë në ndihmat sociale për persona nga vende të treta vlen vetëm për ata që janë të punësuar, por jo për persona, që nuk punojnë, vendosi të enjten (05.03.2026) Gjykata Europiane e Drejtësisënë Luksemburg. (Az. C-151/24)
Paditësja ishte një grua shqiptare që jetonte ligjërisht në Itali me djalin e saj prej dhjetë vjetësh. Ajo ka një leje qëndrimi dyvjeçare për arsye familjare dhe një leje pune, por nuk ka punuar kurrë në Itali. Gruaja aplikoi për një shtesë në pensionin e saj bazë – një përfitim social italian për të moshuarit me të ardhura të ulëta.
Autoritetet e refuzuan kërkesën e saj sepse ajo nuk kishte leje qëndrimi afatgjatë. Gruaja shqiptare e çoi çështjen në gjykatë dhe Gjykata Kushtetuese Italiane e referoi çështjen në Gjykatën Evropiane. Më pas, Gjykata Europiane e interpretoi parimin ligjor të BE-së për trajtimin e barabartë të njerëzve nga vendet jo-anëtare të BE-së në lidhje me sigurimet shoqërore.
Ky rregull zbatohet vetëm për personat e punësuar dhe përfitimet sociale të financuara nga kontributet e tyre. Shtesa e pensionit, nga ana tjetër, është një përfitim social i pavarur nga kontributet, shpjegoi Gjykata Europiane. Ajo financohet nga fondet shtetërore italiane dhe jepet pavarësisht nëse dikush ka paguar. Shtesa ka për qëllim të parandalojë vështirësitë eekonomike për jetesë. Prandaj, është një formë e ndihmës sociale.
Italia nuk është e detyruar t’ua paguajë këtë ndihmë sociale të huajve që nuk kanë leje qëndrimi afatgjatë. Vendeve të BE-së u lejohet ta kushtëzojnë një ndihmë të tillë me kushte që demonstrojnë një nivel të caktuar integrimi, siç shpjegoi Gjykata Evropiane. Edhe qytetarët e BE-së mund të kërkojnë ndihmë sociale vetëm nëse u lejohet të banojnë përgjithmonë në territorin përkatës. /DW