Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Kryeministrit kanë shpallur hapjen e aplikimeve për Raundin XVI të programit të bursave “Young Cell Scheme”, një skemë e financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës që synon përgatitjen profesionale të kuadrove të reja për administratën publike, shkruan Kujdestari.info.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimi për këtë program do të jetë i hapur nga 9 shkurti deri më 9 mars 2026 në orën 17:00, ndërsa këtë vit pritet të ofrohen deri në 37 bursa të plota për studime post-diplomike (master) në universitete të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Programi është i hapur si për publikun e gjerë, ashtu edhe për nëpunësit civilë, të cilët kanë përfunduar studimet në fushat që lidhen me sektorët e përcaktuar nga programi.
Fushat e studimit
Bursat do të ndahen në disa fusha kryesore studimi:
Integrim Evropian dhe Planifikim i Politikave – deri në 14 bursa
Juridik – deri në 8 bursa
Ekonomi – deri në 7 bursa
Digjitalizim – deri në 4 bursa
Inxhinieri – deri në 4 bursa
Programi synon të përgatisë profesionistë të rinj që pas përfundimit të studimeve do të kontribuojnë në institucionet publike të Kosovës.
Çfarë mbulojnë bursat
Bursat e programit “Young Cell Scheme” janë të plota dhe përfshijnë:
pagesën e tarifave të studimit
shpenzimet e jetesës gjatë studimeve
sigurimin shëndetësor dhe shpenzimet e vizës
një biletë udhëtimi vajtje-ardhje
trajnim përgatitor për gjuhën angleze dhe mbulimin e testit IELTS, kur është e nevojshme.
Kushtet për aplikim
Të drejtë aplikimi kanë shtetasit e Kosovës që kanë diplomuar në fushat përkatëse, flasin rrjedhshëm gjuhën angleze dhe shqip ose serbisht, dhe janë të lindur më 1 janar 1991 ose më vonë.
Kandidatët e përzgjedhur do të ndjekin studime master në universitete të vendeve të Bashkimit Evropian dhe, pas përfundimit të tyre, do të kenë obligimin të punojnë për të paktën tre vjet në administratën publike të Kosovës.
Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet në disa faza, duke përfshirë parapërzgjedhjen administrative, testet me shkrim dhe intervistën përfundimtare me panel akademik.
Aplikimet duhet të dorëzohen online përmes faqes zyrtare të programit ycskosovo.org, ndërsa afati i fundit për aplikim është 9 mars 2026 në orën 17:00. /Kujdestari.info/