Anëtari i LDK-së Visar Azemi në një konferencë për medie, ka thënë se gjatë një hulumtimi në Prishtinë e Ferizaj, ka gjetur fakte të një skandali të madh të mashtrimit përmes njehsorëve të energjisë elektrike.
“Nga verifikimi në terren i 884 njehsorëve, rezulton se 87% e tyre e masin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë konsumimit në orët e natës, kur tarifa është me të lirën. Krejt kjo si rezultat i dështimit të Qeverisë dhe ZREE-së për ta monitoruar sistemin e llogaritjes së kohës në njehsorët e energjisë elektrike”, ka thënë Azemi.
Azemi tha se përderisa Qeveria i fton qytetarët që ta kursejnë energjinë përmes tarifave të ulëta, ajo po i mashtron ata duke i detyruar të paguajnë me tarifë të shtrenjtë.
Gjatë kësaj konference, Azemi paraqiti kërkesat e LDK-së:
– Hetim i pavarur dhe auditim i plotë i sistemit të faturimit të KESCO
– Dorëheqje e bordit të ZRRE-së
– Kompensim në mënyrë retroaktive për çdo qytetar të dëmtuar
– Ndërprerje të çdo procesi të shqyrtimit për rritje të tarifave të energjisë elektrike
– Hetim nga Prokuroria për përgjegjësi penale
Azemi i bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë njehsorët nëpër shtëpitë e tyre si dhe të mos heshtin, duke kërkuar kompensim dhe llogari nga institucionet për këtë skemë mashtrimi.


