Avokati Qendrim Arifi ka ngritur shqetësimin për një fenomen që, sipas tij, po shfaqet gjithnjë e më shpesh në proceset e prokurimit publik: eliminimin e kompanive me arsyetimin se nuk kanë ofruar dëshmi për regjistrimin e makinerive të punës – edhe në rastet kur këto mjete, me ligj, nuk detyrohen të regjistrohen, raporton Kujdestari.info.
Sipas Arifit, shumë prej makinerive të punës nuk janë të destinuara për qarkullim në trafik, pasi lëvizin vetëm brenda vendpunishtes, prandaj për to mjaftojnë dokumente alternative si fatura e blerjes ose dokumenti i doganimit. Megjithatë, ai thotë se disa kompani po arrijnë t’i regjistrojnë këto mjete, duke krijuar një përparësi të padrejtë dhe dominim të kundërligjshëm të tregut.
“Hilja shfaqet gjatë fazës së vlerësimit të ofertave,” ka deklaruar Arifi. Sipas tij, disa autoritete kontraktuese po i krahasojnë ofertuesit mes vete, në vend që të ndjekin legjislacionin. “Nëse një operator ekonomik ka paraqitur regjistrim – edhe kur ligji nuk e kërkon – për disa autoritete kjo shndërrohet në standard dhe bëhet arsye për eliminimin e të tjerëve,” ka thënë ai.
Avokati vlerëson se kjo praktikë është shndërruar në abuzim dhe duhet të marrë fund. Ai kërkon ndërhyrje urgjente nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
“Shtë e domosdoshme që KRPP të lëshojë një opinion të detajuar për të gjitha autoritetet kontraktuese, duke sqaruar qartë kur kërkohet regjistrimi me librezë dhe kur duhet të pranohen dëshmi alternative,” ka theksuar Arifi.
Sipas tij, një qartësim i tillë do të parandalonte favorizimet e padrejta dhe do të siguronte konkurrencë të barabartë në tenderët publikë. /Kujdestari.info/