Dy avancime të bëra brenda Departamentit për Çështje Juridike në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) ngrenë dyshime lidhur me respektimin e procedurave të brendshme të rekrutimit dhe zhvillimit të karrierës. Sipas sinjalizimeve, bëhet fjalë për rritje të konsiderueshme të koeficientit të pagës dhe ndryshim të pozitave, pa evidencë publike për shpallje të konkursit të brendshëm, shkruan Kujdestari.info.
Mësohet se Violeta Parduzi ishte sistemuar nga pozita e Zyrtares Ligjore (me koeficient rreth 5.2–5.6) në pozitën Këshilltare e Lartë Juridike për Çështje Juridike dhe Përfaqësim Gjyqësor, me koeficient 9.
Ndërkohë, Natyra Kasumaj, nga pozita Zyrtare e Lartë Ligjore (koeficient 8), ishte sistemuar në pozitën Këshilltare e Lartë Juridike për Çështje Kundër Mashtrimit, po ashtu me koeficient 9. Ajo mban gjithashtu pozitën e ushtrueses së detyrës së njësisë kundër mashtrimit për një periudhë të zgjatur.
Rritja e koeficientit nga 5.x në 9 përfaqëson një ndryshim të ndjeshëm në klasifikimin e pozitës dhe nivelin e pagës.
Çfarë parashikon Rregullorja?
Rregullorja (ZKA) Nr. 01/2024 për Pranimin dhe Karrierën në Zyrën Kombëtare të Auditimit përcakton në Nenin 8 (Konkursi i brendshëm):
“Një pozitë e lirë e punës plotësohet përmes konkursit të brendshëm sipas neneve 14 dhe 39 paragrafi 5 të kësaj Rregulloreje.”
Po ashtu, në Nenin 27 (Puna provuese) thuhet: “Puna provuese për të punësuarit e rinj në ZKA zgjat një (1) vit.”
Ndërsa për ushtruesin e detyrës, në Nenin 30, paragrafi 3, rregullorja përcakton se “Në rast të lirimit nga detyra për zhvillim të procedurave përkatëse për plotësimin e një vendi të lirë të punës në pozita drejtuese, Auditori i Përgjithshëm mund të caktojë një nëpunës si ushtrues detyre, me kohëzgjatje deri në një (1) vit”.
Megjithatë, sipas të dhënave të siguruara,Natyra Kasumaj e mban pozitën e ushtrueses së detyrës për më shumë se një vit, edhe pse rregullorja e parasheh afatin maksimal prej një viti.
Në rast ristrukturimi, transferimet rregullohen me Nenin 33 (Transferimi në rast ristrukturimi), ku thuhet: “Nëse për shkak të ristrukturimit pozita e mëparshme e një nëpunësi shuar apo transferohet në një pozitë tjetër të së njëjtës kategori dhe grade, struktura e re organizative, e ristrukturuar, zbatohet në rastet kur: ndryshon misioni i ZKA-së; shtohen apo pakësohen funksionet; si dhe ngritje apo zvogëlim i buxhetit”.
Sqarimi i ZKA-së
Në përgjigje për Kujdestari.info, Zyra Kombëtare e Auditimit ka deklaruar: “Me vendimin e Auditores së Përgjithshme nr. 112/146, të datës 23.09.2024, është themeluar Komisioni i Ristrukturimit. Në pajtueshmëri me këtë vendim dhe bazuar me nenin 32 të Rregullores (ZKA) nr. 02/2024, për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komisioni ka identifikuar pozita të vendeve të punës të ndikuara nga ndryshimet organizative dhe nga klasifikimi i ri i vendeve të punës, të cilat janë shuar me Rregullore (ZKA) nr. 02/2024. Komisioni ka shqyrtuar secilin nga rastet e identifikuara të shuarjes së pozitave si dhe ka bërë verifikimin e kritereve të përcaktuara për vendet e mundshme, që mund të plotësohen nga nëpunësit me qëllim të transferimit në pozita tjera, duke rregulluar në këtë mënyrë marrëdhëniet e tyre të punës. Bazuar në shqyrtimin e rrethanave, kritereve për secilën pozitë të punës, kompetencën profesionale të punonjësve dhe nevojat organizative të ZKA-së, Komisioni ka rekomanduar transferimin e punonjësve të sipër përmendur në pozitat përkatëse në pajtim me rregulloret përkatëse në fuqi.”
Po ashtu, ZKA ka theksuar se :“Nuk është e vërtetë se rregullorja e brendshme e ZKA-së kufizon afatin prej gjashtë muajsh për pozitat me Ushtrues Detyre. Rregullorja (ZKA) Nr. 01/2024 për Pranimin dhe Karrierën në Zyrën Kombëtare të Auditimit, në nenin 30, paragrafi 3, përcakton se nëpunësi mund të shërbej si UD me kohëzgjatje deri në një vit.”
Ndryshimi i kritereve krahasuar me rregulloren e mëparshme
Sipas krahasimit me Rregulloren 02/2021, këto pozita figuronin si “Zyrtar i Lartë Kundër Mashtrimeve” dhe “Zyrtar i Lartë Ligjor”, me koeficientë më të ulët page dhe me kërkesa për përvojë profesionale deri në 7 vite.
Ndërsa me rregulloren e re, pozitat janë riemërtuar në “Këshilltar i Lartë Ligjor” dhe “Këshilltar Kundër Mashtrimeve”, me reduktim të përvojës së kërkuar në 3 vite dhe me rritje të koeficientit të pagës në 9.
Këto ndryshime ngrenë nevojën për sqarim nëse bëhet fjalë për krijim të pozitave të reja si rezultat i ristrukturimit apo për transformim të pozitave ekzistuese. /Kujdestari.info/