Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit zbulon një menaxhim katastrofik të projektit për mbindërtimin dhe zgjerimin e Klinikës së Ortopedisë. Operatorë ekonomikë pa përvojë të dëshmuar janë shpallur fitues, dosjet e ofertuesve humbnin ose nuk ruheshin, ndërsa projektimi joadekuat ka detyruar ndryshime të shumta gjatë punimeve. Procedurat e prokurimit janë tejkaluar pa respektuar kriteret ligjore, duke rritur rrezikun e shpenzimit të paarsyeshëm të fondeve publike. Stafi teknik i pa përgatitur ka sjellë vonesa dhe cilësi të dobët të punimeve, duke rrezikuar funksionalitetin e objektit. Ndryshimet e vazhdueshme të kontratës dhe shpallja e kontratave të reja për punë të paparashikuara tregojnë qartë se projekti nuk ishte planifikuar si duhet. Ky auditim tregon se mungesa e transparencës dhe profesionalizmit në ShSKUK nuk janë vetëm gabime administrative, por kërcënojnë direkt shërbimet shëndetësore dhe besimin e qytetarëve. Kujdestari.info sjell detaje…
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, përkatësisht Qendra Klinike Universitare e Kosovës si pjesë e ShSKUK-së, ka qenë autoriteti kontraktues që ka lidhur kontratën “Mbindërtimi dhe zgjerimi i objektit ekzistues të klinikës së Ortopedisë”. Kontrata përmban fjalën “mbindërtimi” sepse klinika tashmë kishte një objekt njëkatësh në atë lokacion, mbi të cilin QKUK-ja planifikonte ta ndërtonte edhe një kat. Nevoja për mbindërtim (shtimin e një kati më lartë mbi objektin ekzistues), renovim të objektit ekzistues, dhe ndërtimin e një aneks objekti ngjit me të kanë rrjedhur për shkak të kushteve jo të mira në të cilat gjendej objekti që kishte në dispozicion kjo klinikë.
Procedurat për realizimin e këtij projekti kanë filluar në vitin 2018, me inicimin e fazës së
projektimit dhe hartimin e planit ndërtimor. Pas përfundimit të projektit ideor dhe përgatitjes së dokumentacionit teknik, është vazhduar me zbatimin e punimeve ndërtimore dhe finalizimin e projektit. Për realizimin e plotë të këtij projekti, janë lidhur gjithsej katër kontrata: një kontratë për projektimin e planit ndërtimor, dy kontrata për kryerjen e punimeve ndërtimore dhe një kontratë për mbikëqyrjen e zbatimit të punëve. Vlera totale e angazhimeve kontraktuale për të gjitha komponentët e projektit kap shifrën prej afër 2.6 milionë euro, raporton Kujdestari.info.
Klinika është përuruar në tetor të vitit 2024 ku dhe ka filluar ofrimin e shërbimeve për pacientë.
Por, Zyra e Auditorit Gjeneral ka gjetur një varg shkeljesh në këtë tender ku edhe ka publikuar nje raport me emrin “EFIKASITETI I SHËRBIMIT SPITALOR KLINIK DHE UNIVERSITAR TË KOSOVËS NË NDËRTIMIN E OBJEKTIT TË KLINIKËS SË ORTOPEDISË”.

Çka gjet ZKA: (RAPORTI)
Mangësitë e planifikimit fillestar dhe procedurat e prokurimit jo në përputhje me kërkesat ligjore kanë ndikuar në performancën e projektit
Efikasiteti i ShSKUK-së në ndërtimin e projektit është cenuar për shkak të disa mangësive, përfshirë planifikimin jo të mirëfilltë dhe mungesën e qartësisë në vlerësimin e nevojave, gjë që ka çuar në devijime të konsiderueshme gjatë zbatimit. Janë përzgjedhur operatorë ekonomik fitues pa përmbushur kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit, ndërsa humbja e dokumentacionit të ofertuesve ka cenuar integritetin e procesit të prokurimit. Si pasojë e planifikimit të dobët, janë bërë disa ndryshime në specifikime dhe është lidhur kontratë e re, duke ndikuar në efikasitetin e projektit. Planifikimi jo i duhur ka rezultuar edhe në ndërrimin e destinimit të disa hapësirave tëparapara për pacientë, duke i shfrytëzuar ato për qëllime të tjera.
Planifikim jo i duhur i projektit dhe paqartësi në vlerësimin e nevojave
Para fillimit të një projekti, QKUK gjatë vlerësimit të nevojave dhe përgatitjes së një planiideor duhet të bëjë mbledhjen dhe analizën e të dhënave, përdorimin e teknikave të avancuara analitike si dhe përfshirjen e të gjithë grupeve të interesit të nevojshëm për të garantuar një pasqyrë të plotë të nevojave i përshtatshëm për atë investim. Para shpalljes së procedurave të prokurimit, QKUK duhet të bëjë një analizë dhe vlerësim në vend, të situatës aktuale të objektit ku mendohet të bëhet renovimi dhe çdo ndërtim tjetër.
Plani për renovimin dhe ndërtimin e klinikës së Ortopedisë ka qenë i paraparë të zhvillohet në tri etapa: renovimi i brendshëm i objektit ekzistues, mbindërtimi i një kati si dhe integrimin e objektit të ri me atë ekzistues.
Sipas kërkesës iniciuese dhe dosjes së tenderit ‘për projektimin e projektit kryesor’, nevojat për ndërtim kanë qenë urgjente dhe janë vendosur kushtet kryesore të punëve që janë menduar të nevojshme për funksionalizimin e objektit. Megjithatë, kërkesa iniciuese dhe fillimi i procedurave është bërë pa vlerësuar saktë gjendjen aktuale të objektit ekzistues të klinikës.
Fillimisht është planifikuar që objekti ekzistues të ketë vetëm renovim, mirëpo gjatë fazës së analizave në teren, para se të hartohet projekti kryesor, inxhinierët e QKUK-së kishin vlerësuar se është më e përshtatshme të demolohet objekti ekzistues dhe të ndërtohet nga themelet përsëri. Ky objekt ishte ndërtuar në vitin 2005.
Pamjaftueshmëria në dokumentimin e procedurave të prokurimit
Për zhvillimin e procedurave të prokurimit, qoftë për shërbim apo investim, QKUK duhet të caktoj paraprakisht disa kritere për OE-të konkuruese në mënyrë që të plotësoj kërkesat e nevojshme për atë projekt. Bazuar në këto kritere, komisioni i vlerësimit bënë analizimin dhe përzgjedhjen e OE-së përgjegjëse për projektin në fjalë. Gjithashtu, të gjitha dosjet e tenderit si pjesëmarrës për atë procedurë, është e detyrueshme që të ruhen në arkivë si dhe në formë elektronike, kjo për shkak të transparencës.
Mos plotësimi i kritereve të përzgjedhjes të përcaktuara nga vetë QKUK
Gjatë shqyrtimit të procedurave të prokurimit të zhvilluara nga QKUK për këtë projekt, janë
evidentuar mospërputhje në përmbushjen e kritereve të kapacitetit teknik dhe profesionalnga operatorët ekonomik. Këto mospërputhje lidhen kryesisht me mungesën e dokumentacionit dëshmues, si kontratat dhe referencat për stafin teknik të kërkuar, edhe pse këta operatorë janë shpallur fitues të kontratave përkatëse.
Caktimi i këtyre kritereve specifike për vlerësimin e operatorëve ekonomik ishte bërë me idenë që përzgjedhja të jetë sa më konkrete dhe përkatëse lidhur me natyrën e projektit. Sipas zyrtarëve, për shkak të urgjencës së nevojave për këtë klinikë, QKUK i ka tejkaluar këto kritere dhe ka shpallur OE-të fituese edhe pa i plotësuar kriteret e vetë kërkuara.
Tenderi për Hartimin e projektit kryesor
Tenderi (konkursi i projektimit) kishte për qëllim përzgjedhjen e një kompanie për hartimin e projektit kryesor për klinikën e ortopedisë. Ky projekt do të duhej të siguronte një zgjidhje teknike cilësore, në përputhje me standardet për objektet spitalore, sipas zyrtarëve të QKUK-së.
Sipas dosjes së tenderit, kompania duhej të kishte përvojë në projektimin e të paktën një objekti shëndetësor, ndërsa Menaxheri i kontratës duhej të kishte hartuar të paktën dy projekte spitalore. Kompania përfituese nuk ka ofruar dëshmi për përvojën e kërkuar në projektimin e objekteve shëndetësore. Po ashtu, Menaxheri i kontratës nuk ka dokumentuar përvojën në dy projekte spitalore, siç kërkohej.
QKUK-ja si autoritet kontraktues kishte pranuar dokumentacion referues, por jo dëshmi konkrete (si kontrata apo projekte të përfunduara) që dëshmojnë përmbushjen e kritereve. Pavarësisht kësaj, QKUK-ja e kishte shpërblyer me kontratë kompaninë projektuese.
Kjo ka ndodhur për shkak se komisioni i vlerësimit nuk e ka bërë si duhet vlerësimin dhe verifikimin e plotë të përvojës teknike.
Përzgjedhja e një kompanie, personave kyç të së cilës i mungon përvoja adekuate n projektim, ka ndikuar që projekti të mos hartohet si duhet e për pasojë ka çuar në pranimin e një projekti që nuk i plotësonte si duhet nevojat e klinikës.
Mungesa e përvojës së dëshmuar në projektimin e objekteve shëndetësore është bër shkak për hartim joadekuat të projektit, i cili ka ndikuar në funksionalitetin dhe koston e përgjithshme të ndërtimit të objektit spitalor.
Tenderi për Mbindërtim dhe zgjerim të klinikës së ortopedisë
Tenderi kishte për qëllim përzgjedhjen e një kompanie të kualifikuar për ndërtimin e klinikës së ortopedisë sipas projektit kryesor që QKUK-ja sapo e kishte pranuar. QKUK-ja synonte përmes këtij projekti zgjerimin e kapaciteteve infrastrukturore të klinikës së ortopedisë për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarë.
Sipas dosjes së tenderit, menaxheri i projektit duhej të kishte përvojë në të paktën tri projekte me kontrata dhe referenca; menaxheri i punishtes më së paku dy projekte; inxhinierët me tri referenca dhe kontrata në ndërtim të lartë, dhe një inxhinier duhej të ishte i specializuar në drejtimin
konstruktiv.
Për menaxherin e projektit mungojnë kontratat që dëshmojnë përvojën. Për katër nga pesë inxhinierët, mungojnë kontratat për ndërtim të lartë. Për inxhinierin e drejtimit konstruktiv nuk është dorëzuar asnjë dokumentacion. Me gjitha këto mangësi në ofertë QKUK-ja e kishte pranuar atë OE si të përgjegjshëm dhe e kishte shpërblyer me kontratë.
Procesi i vlerësimit të ofertave, nuk është zhvilluar si duhet. Përkundër ofertës me dokumente të mangëta dhe të pa mbështetura me dëshmi të plota, QKUK e ka konsideruar atë të përgjegjshme duke mos kërkuar kontrata të cilat do të dokumentonin realisht përvojën dhe kompetencat e stafit kyç, sepse kishin vlerësuar se mjafton që janë ofruar referencat si dëshmi që ky kriter i përzgjedhjes është plotësuar.
Mospërfillja e kritereve të përzgjedhjes përveç që paraqet trajtim jo të barabartë të operatorëve ekonomik, paraqet edhe rrezik për zbatim të dobët të kontratës.
Angazhimi i stafit teknik pa përvojë të dëshmuar ka shkaktuar menaxhim joadekuat të projektit ndërtimor, dhe ka ndikuar negativisht në cilësinë e punimeve, vonesa në realizi – duke ndikuar kështu në efikasitetin ndërtimit të klinikës.
Tenderi për Mbikëqyrjen e zbatimit të projektit ndërtimor Mbikëqyrja profesionale e punimeve ndërtimore është thelbësore për të siguruar cilësi, përputhshmërinë me projektin dhe përdorimin e sigurt të objekteve shëndetësore.
Sipas kërkesave të tenderit, pesë inxhinierë duhej të kishin përvojë në mbikëqyrjen e të paktën pesë projekteve në ndërtim të lartë, të dëshmuara përmes kontratave të punës.
Për pesë inxhinierët janë dorëzuar vetëm referenca, ndërkohë që mungojnë kontratat që të dëshmonin realisht përvojën në mbikëqyrjen e projekteve ndërtimore.Komisioni i vlerësimit të ofertave i QKUK-së nuk ka kërkuar apo verifikuar dokumentacion të plotë për të vërtetuar përvojën, duke pranuar vetëm këto refernca si dëshmi.
Mungesa e mbikëqyrjes profesionale të kualifikuar mund të çojë në zbatim të dobët të punimeve, rritje të defekteve teknike dhe rrezikim të qëndrueshmërisë së objektit. Kjo ndikon direkt në cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve që objekti do të ofrojë.
Mungesë e dosjeve të operatorëve tjerë pjesëmarrës
Në procedurën ‘Hartimi i projektit kryesor për klinikën e Ortopedisë’ kanë marrë pjesë tre ofertues, ndër ta OE fitues me ofertë 19,299 euro dhe një OE me ofertë më të lirë në vlerë prej 13,806 euro. OE i diskualifikuar si i papërgjegjshëm ka qenë më i lirë se kompania fituese për 5,493 euro apo për 29%. Sipas raportit të vlerësimit, kjo kompani është shpallur e papërgjegjshme për arsye se nuk kishte sjellë dy dosje origjinale si dhe nuk kishte plotësuar disa kritere tjera.
Ne kemi kërkuar vlerësimin e dosjes ofertuese nga kjo kompani, mirëpo këtë dosje zyrtarët nuk ishin në gjendje të gjejnë fizikisht. Ndërkaq, në formë elektronike nuk është për arsye se është procedurë e vitit 2018 dhe e-prokurimi nuk ka qenë funksional në atë kohë.
Gjendja jo e mirë e arkivës së QKUK-së dhe mos arkivimi i dosjeve sipas referencave, ka bërë që kjo dosje të mos gjendet.
Mungesa e dokumentimit adekuat dhe veprimi në kundërshtim me dispozitat e ligjit të prokurimit, cenojnë transparencën e procesit të vlerësimit të ofertave. Mos dokumentimi i arsyetuar i shpalljes së ofertuesit më të lirë si të papërgjegjshëm ka ndikuar në përzgjedhjen e një operatori me çmim më të lartë, duke rritur rrezikun për përdorim joefikas të fondeve publike.
Projektimi joadekuat ka ndikuar në ndryshime të mëdha gjatë zbatimit të kontratës së ndërtimit
Projekti ideor dhe ai përfundimtar duhet të jenë të hartuar në mënyrë të detajuar, të bazuar në nevojat reale dhe analizë të saktë të kushteve në terren, në mënyrë që të minimizohen ndryshimet gjatë fazës së zbatimit dhe të sigurohet realizim efikas dhe ekonomik i kontratës.
Kontrata e lidhur në vitin 2019 për kryerjen e punimeve për klinikën e Ortopedisë ka qenë e planifikuar të përfundoj pas 570 ditëve apo më saktësisht në muajin janar 2021. Mirëpo, gjatë punimeve kompania punë kryese ka identifikuar mangësi në projektim, duke vlerësuar se disa pozicione nuk ishin të përshtatshme për disa pjesë të klinikës. Sipas raportit të kësaj kompanie, pjesa e ventilimit të sallës së operimeve, muret e veshura me bakër, izolimi i sallave të reja operative me mbrojtje X-ray (mbrojtje nga rrezatimi), profili i dyerve në sallën e operimeve, makineritë dhe pjesët përcjellëse të tyre nuk ishin të përshtatshme.
Si rezultat, është dashur të bëhet një rivlerësim komplet i pozicioneve të kontratës nga kompania e kontraktuar në rolin e Organit Mbikëqyrës dhe nga menaxheri i kontratës. Pas analizave dhe vlerësimit të gjendjes në teren, të dy palët ishin pajtuar se ndryshimet janë të domosdoshme dhe rekomandimi i tyre ka qenë shpallja e një procedure të re të prokurimit. ShSKUK kishte publikuar tenderin e hapur, me ç ‘rast është lidhur kontratë e re për punë të paparashikuara me të njëjtën kompani punë kryese. Për këto ndryshime është marrë aprovimi nga menaxhmenti i QKUK-së dhe kanë vazhduar procedurat e prokurimit me kohëzgjatje të shkurtuar.
Edhe pse ndryshimet janë aprovuar, vlerësimi i tyre dhe procedurat e reja të prokurimit kanë ndikuar në shtyrjen e afatit kohor për përfundimin e projektit.Përveç ndryshimeve për të cilat kanë qenë të pashmangshme procedurat e reja të prokurimit, janë
bërë edhe shtim/largim i sasive të pozicioneve brenda kontratës së parë. Në raportin final të pranimit (Situacioni i 11), kemi vërejtur që ka pasur lëvizje të sasive pozicioneve pothuajse në të gjitha fushat e ndara sipas fazave të ndërtimit. Edhe pse këto lëvizje nuk e tejkalojnë 10% e vlerës së kontratës e cila është e lejuar me ligjin e prokurimit, megjithatë kjo jep një informatë që planifikimi dhe projektimi nuk kanë qenë mjaftueshëm mirë të analizuara.

Nga tabela më lartë vërehet se gjatë realizimit të projektit janë bërë ndryshime të konsiderueshme në sasitë e pozicioneve të ndryshme brenda secilës kategori, krahasuar me kontratën fillestare. Në disa pozicione sasitë janë zvogëluar, në vlerë prej 441,234 € dhe disa pozicione sasitë janë shtuar në vlerë prej 192,432€, duke rezultuar në një ulje neto prej 248,802 € nga vlera fillestare e kontratës.
Përveç ndryshimeve të theksuara më lartë, me kërkesë nga stafi mjekësor i klinikës së Ortopedisë, janë shtuar edhe pozicione të reja sepse, sipas tyre, pa to funksionalizimi i klinikës do të ishte jo i plotë. Disa nga ndryshimet janë prezantuar në grafikun si më poshtë:

Gjatë inspektimit fizik të objektit, kemi konstatuar se një hapësirë e dedikuar për vendosjen e pajisjeve elektrike (orman elektrik dhe UPS) nuk ishte ndërtuar në harmoni me përmasat e pajisjeve dhe nuk i plotësonte kushtet teknike për vendosjen dhe funksionimin e tyre. Si rrjedhojë, kësaj dhome i’u është ndërruar destinimi dhe tani përdoret për qëllime tjera, ndërsa një dhomë e planifikuar për pacientë tani shfrytëzohet për vendosjen dhe funksionimin e këtyre pajisjeve.

Ndërtesa e re e klinikës së ortopedisë ishte paraparë të ketë 4 salla të operimeve, 26 dhoma për akomodim të 52 pacientëve, si dhe dhoma tjera për qëllime të ndryshme (dhoma të mjekëve, dhoma të infermierëve, zyra, triazhi, dhoma e oksigjenit, kuzhina etj).
Gjatë ekzaminimit kemi vërejtur se dy dhoma të destinuara për pacientë ishin duke u përdorur si dhoma për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, dhe jo për qëllimin fillestar të tyre.

Gjithashtu, një pjesë e objektit e planifikuar për vendosjen e makinerive, e cila ndodhet si pjesë shtesë mbi katin e dytë të ndërtesës, nuk është shfrytëzuar për qëllimin e paraparë. Makineritë janë instaluar në një pjesë tjetër të objektit në ambient të hapur, për shkak të nevojës urgjente për t’i vënë në funksion sepse vendi ku parashiheshin të vendoseshin ende nuk ishte ndërtuar. Aktualisht, objekti i destinuar për vendosjen e këtyre pajisjeve është duke u shfrytëzuar për zhvillimin e takimeve të kolegjiumeve apo të stafit të klinikës.
Devijimet e cekura më lartë çojnë në përfundim se projekti kryesor për ndërtimin e objektit të klinikës nuk është mbështetur në një analizë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse të nevojave reale të institucionit shëndetësor.
Si rezultat, projekti kryesor ka qenë i paplotë dhe jo i harmonizuar me kushtet reale në terren, gjë që ka sjellë nevojën për ndryshime të konsiderueshme të tij gjatë zbatimit të punimeve. Këto mangësi kanë çuar në ndryshime në sasitë dhe përmbajtjen e kontratës fillestare duke shkaktuar jo vetëm vonesa në ndërtim të objektit, por edhe kosto shtesë.
Përfundimisht QKUK-ja nuk ishte efikase në ndërtimin e klinikës së ortopedisë sepse ndërtimi i saj kishte marrë kohë konsiderueshëm më të gjatë si dhe më shumë fonde se që ishte planifikuar fillimisht.
Kjo kishte ndodhur për shkak se QKUK kishte kontraktuar kompani për hartim të projektit, pa përvojë të mjaftueshme dhe të dëshmuar në hartimin e projekteve shëndetësore.
Për pasojë është hartuar projekt kryesor jo adekuat që është reflektuar më vonë me ndryshime të konsiderueshme në para-masë/kontratë, si dhe është lidhur edhe një aneks kontratë me kosto shtesë për QKUK-në.
Jo efikasitet në menaxhimin dhe monitorimin e projektit
Zbatimi i projektit është karakterizuar nga një sërë devijimesh që tregojnë për mungesë të efikasitetit në menaxhimin dhe monitorimin e tij. Projekti nuk është realizuar në përputhje me planin dinamik të punimeve, duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme në afatet e parashikuara të përfundimit. Krahas kësaj, është evidentuar tejkalim i çmimit të kontratës, si dhe ekzekutim i situacioneve shtesë të punimeve pa aprovim paraprak, në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe procedurat e prokurimit publik.
Më tej, është konstatuar se janë kryer pagesa për punimet e realizuara edhe në mungesë të emërimit dhe angazhimit të një menaxheri të kontratës, gjë që ka ndikuar në mungesën e mbikëqyrjes efektive dhe të dokumentuar të procesit të zbatimit të kontratës.
3.2.1 Ekzekutimi i punëve nuk ishte kryer sipas afateve të përcaktuara në planin dinamik
Zbatimi i projektit duhet të realizohet në përputhje me planin dinamik të kontraktuar nga QKUK, duke siguruar përfundimin e punëve brenda afateve të përcaktuara dhe pa vonesa, me qëllim përdorimin efikas të burimeve dhe arritjen e objektivave të projektit në kohën e parashikuar.
Dy procedurat e prokurimit “Mbindërtimi dhe zgjerimi i objektit ekzistues të klinikës së Ortopedisë” dhe “Punët e paparashikuara për klinikën e Ortopedisë” janë zhvilluar me afate të shkurtuara kohore, me arsyetimin se nevojat për klinikën e re dhe përmirësimi i kushteve për trajtimin e pacientëve paraqesin nevojë urgjente. Megjithatë, QKUK nuk ka arritur të jetë efikase në përmbushjen e këtij objektivi. Më poshtë gjeni një përshkrim të shkurtër të ecurisë së dy kontratave:
-
Kontrata e parë – “Mbindërtimi dhe zgjerimi i objektit ekzistues të klinikës së Ortopedisë” është lidhur në vitin 2019. Sipas planit dinamik të miratuar, punimet është dashur të përfundonin në fillim të vitit 2021. Megjithatë, që nga fillimi i realizimit të kontratës janë shfaqur sfida të cilat kanë ndikuar në rrjedhën normale të realizimit të punimeve. Kronologjia e këtyre sfidave dhe problemeve është prezantuar si më poshtë:
-
Zhvillimi i procedurave të prokurimit kishte filluar në muajin mars 2019, përderisa kërkesa për lejen e ndërtimit në Komunën e Prishtinës ishte bërë në muajin maj 2019. Obligimet kontraktuale kishin filluar në muajin korrik 2019, kurse leja për ndërtim është lëshuar në gusht 2019. Për pasojë OE nuk i ka filluar punimet derisa është marrë leja;
-
Moti i ligë ka qenë një faktor tjetër që ka ndikuar në shtyrjen e punimeve për tre muaj (dhjetor 2019 dhe janar-shkurt 2020);
-
Periudha e pandemisë Covid-19 ka bërë që për dy muaj tjerë të ndalen punimet; si dhe
-
Mungesa e një planifikimi të mirëfilltë nga kompania projektuese, e cila kishte hartuar projektin fillestar, solli nevojën për rishikim të projektit dhe ndaljen e punimeve për gjashtë muaj të tjerë (mars-gusht 2021) për të zhvilluar një procedurë të re prokurimi.
-
Kontrata e dytë – “Punët e paparashikuara për klinkën e Ortopedisë” është lidhur në gusht 2021, me afat zbatimi 365 ditë kalendarike, përkatësisht deri në gusht 2022. Edhe pse kontrata kishte një periudhë të qartë zbatimi, për shkak të shtimit të volumit të punëve dhe mos menaxhimit të kontratës në kohë reale, punimet nuk u përfunduan brenda këtij afati.
-
Aneks kontratë – është lidhur në mes QKUK-së dhe kompanisë ndërtuese për shtyrje të afatit të punimeve deri në gusht të vitit 2023. Ky proces nuk ishte i shoqëruar nga një kërkesë me arsyetim të qartë dhe dokumentacion përkatës. Ky proces kishte vazhduar me dy vendime shtesë për zgjatjen e vlefshmërisë së kontratës:
-
Vendimi i parë: nga 24 gusht 2023 deri më 24 dhjetor 2023, dhe
-
Vendimi i dytë: nga 24 dhjetor 2023 deri më 22 mars 2024.
Megjithëse u lejuan këto shtyrje të afateve, projekti nuk është finalizuar as brenda afatit të fundit të përcaktuar, duke rezultuar në vonesë të theksuar në përfundimin e punimeve dhe dorëzimin e objektit për përdorim. Pranimi i situacioneve përfundimtare nga kompania e angazhuar si Organ Mbikëqyrës është bërë në qershor të vitit 2024, ku krahasuar me datën e fundit të lejuar me vendim është një hapësirë kohore për 3 muaj, ndërsa krahasuar me datën fillestare të planifikuar për përfundimin e punimeve distanca kohore është më shumë se tri vite vonesë.
Kjo situatë ka ndodhur si rezultat i planifikimit jo të duhur të projektit që nga faza ideore deri te projekti final. Edhe pse janë përdorur procedura të prokurimit me afate të shkurtuara, me arsyetimin e urgjencës, QKUK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë objektin e klinikës brenda afateve të arsyeshme. Kjo sepse QKUK, ndër tjera, kishte kontraktuar kompani të papërgjegjshme për hartim të projektit kryesor. Si rezultat, projekti kryesor ishte i mangët dhe ka kërkuar modifikime, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në vonesa të konsiderueshme në zbatimin e tij dhe në mos arritjen e objektivave të përcaktuara, për aq kohë sa është vonuar ndërtimi i klinikës.
3.2.2 Tejkalim i çmimit të kontratës, situacioneve pa aprovim dhe ekzekutim i pagesave pa raport të menaxherit të kontratës
Projektet duhet të realizohen brenda buxhetit të ndarë dhe në përputhje me vlerën/çmimin e përcaktuar në kontratë. Çdo ndryshim në kosto duhet të jetë i justifikuar me dokumentacion të plotë dhe i menaxhuar në mënyrë efektive për të garantuar përdorim të arsyeshëm të fondeve publike. Po ashtu, procesi i ekzekutimit të pagesave duhet të bazohet në raportet për punët e kryera dhe të jetë i miratuar nga menaxheri i kontratës. Pagesat e realizuara pa këtë aprovim cenojnë kontrollin e brendshëm dhe rrisin rrezikun për pagesa të pajustifikuara ose jo në përputhje me kontratën.
Më poshtë po paraqesim aspektin financiar të projektit, përkatësisht vlerën e secilës kontratë dhe pagesat përkatëse:
-
Çmimi i kontratës për kryerjen e punimeve bazuar në projektin kryesor fillestar ishte afër 2,21 milion euro. Mirëpo, pas ndryshimeve të disa pozicioneve (largimi/shtimi i tyre) brenda kësaj kontrate, ndryshoi edhe çmimi total kontratës. Si rezultat, vlera neto e kontratës ishte reduktuar në 1,96 milion euro.
-
Lidhja e kontratës së dytë, për punë të paparashikuara, ka rezultuar me rritje të kostos së projektit për afër 0,6 milion euro. Nga kjo, shuma e kontratës së parë dhe asaj të dytë kap vlerën mbi 2,55 milion euro.
-
Pagesat totale për kompaninë punë kryese nga viti 2019-2025 kanë arritur vlerën në 2,57 milion euro, duke e tejkaluar çmimin e kontraktuar për 16,836 euro. Pra, kosto totale e projektit nga 2,21 milion euro, sa ishte menduar se do të jetë, është rritur në 2,57 milion euro, që përbën një rritje në kosto mbi 16% krahasuar me kontratën fillestare.

Në situacionin nr.11 (të kontratës së parë) janë evidentuar tejkalime të sasive në vlerë 70,894 euro, ndërsa në situacionin nr. 6 (të kontratës së dytë për punë të paparashikuara) tejkalimet kapin vlerën 4,565 euro. Po ashtu, në një pozicion ‘montimi i dritareve PVC’, është konstatuar se janë furnizuar tri (3) dritare më pak se sasia e paraparë në kontratë, ndërkohë që çmimi i faturuar rezulton të jetë më i lartë. Ky devijim ka ardhur si pasojë e ndryshimit të profilit të dritareve gjatë fazës s zbatimit, për shkak të një gabimi në projektim.
Të gjitha këto tejkalime, janë bërë pa miratim paraprak të menaxhmentit, çka ka rezultuar në rritje të kostos për njësi dhe, rrjedhimisht, në tejkalim të vlerës së kontratës.
Kjo situatë ka ndodhur si rezultat i projektimit jo të saktë dhe të papërshtatshëm në fazën fillestare të hartimit të projektit, ku nuk janë identifikuar në kohë të gjitha kërkesat teknike të përshtatshme për objektin, duke përfshirë këtu edhe dritaret me profil standard, të cilat nuk ishin të përshtatshme për natyrën dhe specifikat funksionale të objektit. Ndërkaq, për tejkalimet e sasive pa aprovim, nuk ka ndonjë arsye konkrete, përveç një raporti nga Komisioni për Pranimin e Dokumentacionit, i formuar ad hoc, ku specifikohet qartë se ka pasur tejkalime të cilat janë aprovuar nga Organi Mbikëqyrës por jo nga menaxhmenti i ShSKUK-së.
Gjithashtu, për këtë kontratë janë ekzekutuar tri pagesa në vlerë mbi 255 mijë euro, pa nënshkrimin dhe raportin e menaxherit të kontratës, siç kërkohet nga rregullat dhe procedurat për menaxhimin e kontratave.
Kjo ka ndodhur pasi menaxherja e kontratës kishte dhënë dorëheqje ende pa u zbatuar kontrata plotësisht, ndërsa QKUK-ja nuk kishte emëruar një menaxher zëvendësues pas saj. Si pasojë, pranimi teknik dhe pagesa e punëve të kryera është bërë me pesë muaj vonesë. Këtë e kishte bërë komisioni i caktuar nga menaxhmenti i ShSKUK-së bazuar në interpretimin e lëshuar nga zyra ligjore.
Pagesa e tretë kishte ndodhur për shkak se, sipas zyrtarëve ligjorë të institucionit, është vlerësuar se është më e favorshme të kryhet pagesa edhe pa raportin e menaxherit të kontratës, sesa të vonohet procedura dhe të rrezikohet që lënda të kalojë në proces gjyqësor apo të përfundojë në përmbarim, me pasoja të mundshme financiare dhe ligjore për institucionin.
Në diskutim me zyrtarët përgjegjës, nuk kemi arritur të marrim përgjigje konkrete për këtë situatë. Sipas tyre, ka qenë sfiduese që në fund të projektit të ngarkohet ndonjë zyrtar tjetër si menaxher, kur pothuajse kontrata ka qenë në përfundim.
Mungesë e vlerësimit të performancës së kontratës nga autoriteti kontraktues
Në mënyrë që QKUK të siguroj përputhshmërinë me afatet, cilësinë e materialeve dhe kushte të tjera kontraktuale, kërkohet të bëjë vlerësimin e performancës së kontratës përkatëse. Ky proces duhet të dokumentohet në mënyrë të qartë dhe të miratohet nga menaxheri i kontratës dhe komisioni përkatës, duke përfshirë masa korrigjuese ose propozime për përmirësime në rastet kur ka devijime nga kushtet e kontratës.
Gjatë vlerësimit të kontratave për realizimin e projektit të klinikës së Ortopedisë, kemi konstatuar se autoriteti kontraktues nuk ka realizuar një vlerësim të dokumentuartë performancës së kontratës, as gjatë periudhës së zbatimit dhe as pas përfundimit të saj, siç kërkohet nga rregullat dhe praktikat e menaxhimit të kontratave. Mungesa e vlerësimit të performancës së kontratës mund të ndikoj që autoriteti kontraktues të mos ketë evidencë të qartë nëse kontrata po zbatohet sipas kushteve të dakorduara, duke rritur rrezikun që devijimet nga specifikimet teknike, cilësia e dobët e punimeve apo vonesat në zbatim të mos identifikohen në kohë.
Sipas zyrtarëve përgjegjës nuk ka pasur ndonjë arsye specifike për mosrealizimin e vlerësimit, por thjesht nuk e kanë ndërmarrë këtë veprim, çka tregon për mungesë të qasjes sistematike dhe të vetëdijesimit lidhur me rëndësinë e këtij procesi në menaxhimin efektiv të kontratave.
Rekomandimet
Për të siguruar që QKUK në të ardhmen të menaxhojë në mënyrë më efikase proceset e investimeve të kësaj natyre dhe të ketë një rol aktiv në menaxhimin e kontratave, rekomandohet që të ndërmerren masat e mëposhtme:
-
Çdo projekt investiv i ri duhet të shoqërohet me dokumentacion të qartë, të detajuar dhe të bazuar në analizë të plotë të gjendjes ekzistuese dhe nevojave reale të njësisë kërkuese, për të minimizuar ndryshimet gjatë punimeve dhe për të shmangur vonesat apo punët e paparashikuara.
-
Caktimi i kritereve dhe kërkesave teknike e profesionale për vlerësimin e ofertuesve duhet të jetë në përputhje me qëllimin dhe kompleksitetin e projektit.
-
Duhet të sigurohet mbikëqyrje efektive e procesit të vlerësimit të ofertave, në mënyrë që vetëm ofertuesit që plotësojnë kriteret paraprake të shpërblehen me kontratë, duke garantuar kështu zbatimin cilësor të saj.
-
Mekanizmat e kontrollit (p.sh. menaxheri i kontratës) dhe raportimit duhet të zbatohet rregullisht dhe pa ndërprerje, për të siguruar komunikim efektiv mes operatorit ekonomik dhe menaxhmentit të QKUK-së. Gjithashtu, duhet të dokumentohet në detaje ecuria e zbatimit të projektit, krahasuar me vlerësimin e performancës së operatorit ekonomik.
-
Duhet të ndërmerren hapa për rritjen e vetëdijes dhe kapaciteteve të zyrtarëve përgjegjës mbi rëndësinë e vlerësimit të performancës së kontratës si mjet për përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit në realizimin e projekteve të ardhshme.
-
Duhet të merren masa për përmirësimin dhe ngritjen e kapaciteteve të sistemit të arkivimit të dokumentacionit, duke vendosur një praktikë të standardizuar të ruajtjes dhe referencimit të dokumenteve. Kjo do të sigurojë qasje të autoriteteve përkatëse në çdo dokument të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tyre dhe do të mundësojë llogaridhënien e zyrtarëve përgjegjës të QKUK-së. /Kujdestari.info/