E premte, 19 Dhjetor, 2025

Auditimi në Vushtrri: Pronat komunale pa kontrata, të dhëna palëve të treta dhe pa pagesa për vite të tëra

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë me temën “Dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i pronave komunale të dhëna me qira në Komunën e Vushtrrisë”, duke zbuluar shkelje serioze në administrimin e pasurisë publike, shkruan Kujdestari.info.

Raporti evidenton se procesi i dhënies dhe menaxhimit të pronave komunale është shoqëruar me mungesë transparence, kontrolle të dobëta dhe mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale nga qiramarrësit. Në disa raste, prona komunale është shfrytëzuar pa kontratë, është dhënë palëve të treta pa miratim të komunës dhe është përdorur pa pagesë, duke shkaktuar humbje të drejtpërdrejta për buxhetin lokal.

Pronat pa kontratë dhe pa pagesë

ZKA ka gjetur raste të shumta ku prona publike është shfrytëzuar pas skadimit apo ndërprerjes së kontratave, pa ndërhyrje nga komuna. Pesë lokale në Sheshin “Hasan Prishtina” kanë vazhduar të përdoren nga qiramarrësit nga viti 2020 deri në shkurt të vitit 2025, ndonëse kontratat kishin skaduar dhe asnjë pagesë nuk ishte bërë për këtë periudhë.

Po ashtu, edhe dy lokale të tjera në qendër të Vushtrrisë janë përdorur pa kontratë, përkundër faktit se kontratat e tyre ishin ndërprerë zyrtarisht nga kryetari i komunës në mars 2024.

Sipas ZKA-së, “mungesa e ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për lirimin e pronave cenon ligjshmërinë dhe efikasitetin në shfrytëzimin e pronës publike, si dhe shkakton humbje të drejtpërdrejta financiare për komunën nga qiratë e papaguara”.

Pronat e dhëna palëve të treta, jashtë ligjit

Një tjetër shkelje e rëndë lidhet me faktin se disa qiramarrës kanë nënqiradhënë pronën komunale palëve të treta, pa asnjë aprovim nga komuna. Në dy raste konkrete, të evidentuara në qershor 2025, prona me sipërfaqe prej 8,000 m² dhe një tjetër prej 5,000 m² ishin duke u përdorur nga biznese që nuk kishin kontratë me komunën.

Raporti thekson se kryetari i komunës nuk kishte informuar Kuvendin Komunal për këto shkelje, siç kërkohet me ligj.

Dokumentacion i zhdukur dhe mungesë e kontrollit

Në procedurat e dhënies me qira, auditi ka gjetur se komuna nuk ka ruajtur dokumentacionin e ofertuesve pjesëmarrës për disa prona të dhëna në vitet e kaluara. Kjo sipas ZKA-së dëmton transparencën dhe e bën të pamundur verifikimin nëse procedurat kanë qenë të ligjshme.

“Mungesa e dokumentacionit pamundëson verifikimin e ligjshmërisë dhe rregullsinë e procedurave të ndjekura, gjë që mund të ndikojë negativisht në besueshmërinë ndaj vendimmarrjes për ofertën më të mirë dhe përfitimin e komunës”, thuhet në raport.

Kryetari nuk ka raportuar në Kuvend

Një tjetër problem i ngritur nga auditi është mos raportimi i kryetarit të komunës në Kuvendin Komunal lidhur me monitorimin e kontratave. Ligji obligon raportim gjashtëmujor për pronat e dhëna në shfrytëzim, por në praktikë Kuvendi nuk është informuar as për shkeljet, as për rastet e pronave pa kontratë.

Kjo, sipas ZKA-së, ka kufizuar seriozisht kapacitetin e Kuvendit për të marrë vendime të informuara dhe për të mbrojtur interesin publik.

Rekomandimet e ZKA-së

Për të përmirësuar gjendjen, ZKA ka dhënë disa rekomandime kyçe:

  • Kryetari i Komunës të sigurojë ruajtjen dhe arkivimin e plotë të dokumentacionit të ofertimit dhe kontraktimit.

  • Të forcohen mekanizmat e mbikëqyrjes për të parandaluar nënqiradhënien dhe shfrytëzimin e paautorizuar të pronës.

  • Të ndërmerren veprime ligjore për lirimin e menjëhershëm të pronave të shfrytëzuara pa kontratë dhe arkëtimin e borxheve nga qiramarrësit.

  • Kryetari i Komunës të raportojë rregullisht në Kuvend për të gjitha kontratat dhe shkeljet e evidentuara. /Demokracia.com/

Lexo më shumë

Të tjera