E premte, 7 Gusht, 2026

ATK paralajmëron qiradhënësit: Të ardhurat nga qiratë dhe Airbnb duhet të deklarohen, përndryshe pasojnë gjoba

Ndaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

ATK, në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka

analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër

personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë

regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur

detyrimet e tyre tatimore.

Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga

dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i

përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

  • u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;
  • deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe
  • paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ATK rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë:

  • regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore;
  • vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat

që disponon;

  • ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe
  • ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga

legjislacioni tatimor.

ATK mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve

tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve,

tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera