Administrata Tatimore e Kosovës ka nisur funksionimin në veri të Mitrovicës, duke u shërbyer shtatë komunave të këtij rajoni dhe duke forcuar praninë e saj në veri. Në fokus mbetet regjistrimi i bizneseve dhe formalizimi i aktivitetit ekonomik.
Hapja e kësaj qendre edhe nga vetë banorët shihet si hap për t’i lehtësuar procedurat tatimore.
“Po kjo është shumë me rëndësi dhe është pjesë e pa ndashme e Kosovës. Është dashtë edhe ma herët të ndodh”, tha një qytetar.
“Çdo aktivitet ose, çdo institucion i qeverisë dhe i shtetit të Kosovës që aktivizohet në pjesën e veriut është në të mirën e shtetit tonë dhe faktikisht për çdo ditë po rriten po zhvillohen edhe po japin rezultate konkrete”, tha tjetri qytetar.
Duke vënë në pah se institucionet e Kosovës po shërbejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, kreu i ekzekutivit nënvizoi se Administrata Tatimore e vendosur në veri të Mitrovicës, do të jetë në shërbim të 7 komunave të këtij regjioni.
“Është një ditë e gëzuar për shtetin e Kosovës për shtetin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug shqiptar, serb, boshnjak e të tjerë sepse republika nuk bën dallime sipas etnisë, përkundrazi kujdeset ti shërbej të gjithë qytetarët të cilët sipas të drejtave të tyre dhe sipas nevojave që kanë”, tha kryeministri Albin Kurti.
Gurthemeli i këtij objekti u vendos në tetor të vitit të kaluar ndërkohë që tani hyn në funksion duke shtrirë shërbime tatimore në këtë pjesë. Ky hap pasqyron funksionalizimin e institucioneve në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.