E mërkurë, 11 Mars, 2026

ATK kontrakton biznesin ku aksionar është deputeti Uran Ismaili për çokollata të 8 Marsit

Ndaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka kontraktuar një kompani për furnizim me dhurata për gratë e institucionit me rastin e 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Bëhet fjalë për furnizim me çokollata të paketuara individualisht, të destinuara për stafin femëror të institucionit, shkruan Kujdestari.info.

Sipas dokumenteve të prokurimit, ATK ka kërkuar 230 copë çokollata “hand made”, me paketim individual, të përshtatshme për dhuratë, të cilat duhej të dorëzoheshin më 6 mars 2026 në ora 15:00.

Tenderi është realizuar përmes procedurës së prokurimit me vlerë minimale, ndërsa kontrata është rekomanduar për kompaninë “Matisse Factory SH.P.K.”, një biznes që sipas aktivitetit primar merret me prodhimin e kakaos, çokollatës dhe ëmbëlsirave.

Sipas njoftimit zyrtar të vendimit të autoritetit kontraktues, oferta fituese ishte 2 euro për njësi, ndërsa vlera totale e kontratës arrin 460 euro për 230 çokollata.

Por detaji që e bën këtë tender më interesant lidhet me pronësinë e kompanisë.

“Matisse Factory SH.P.K.” është në pronësi të katër personave, ndërsa 25 për qind e aksioneve i takojnë deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.

Pra, në praktikë, Administrata Tatimore ka kontraktuar një kompani ku aksionar është një deputet i Kuvendit të Kosovës, për të furnizuar institucionin me çokollata që më pas do t’u shpërndahen grave të punësuara në këtë institucion për festën e 8 Marsit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera