Kosova ka më pak tokë të shfrytëzuar për bujqësi në vitin 2024 sesa në 2023. Kjo është ndër të dhënat më domethënëse të raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), që tregon një rënie në disa prej treguesve kryesorë të sektorit bujqësor, sektor që për vite është promovuar si prioritet strategjik nga institucionet e vendit.
Sipas Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin 2024, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ka rënë në 420,228.67 hektarë, një rënie prej mbi 450 hektarësh krahasuar me vitin 2023. Edhe pse rënia në shifra absolute mund të duket modeste, ajo mbart një mesazh në një vend ku bujqësia është shpesh burim jetese për mijëra familje, çdo hektar më pak do të thotë më pak prodhim dhe më pak të ardhura për bujqit.
ASK ka evidentuar se rënia është më së shumti te toka e përbashkët, e cila zakonisht përdoret për livadhe dhe kullosa. Sipas raportit, kjo lidhet me rënien e numrit të blegtorisë një tjetër sinjal alarmi për bujqësinë vendore. Livadhet dhe kullosat zënë ende mbi gjysmën e sipërfaqes së shfrytëzuar (216,534.33 ha), por edhe këto kanë shënuar një rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Në anën tjetër, është vërejtur një rritje e lehtë te tokat e mbjella me drithëra dhe kultura industriale. Drithërat dominojnë me mbi 125 mijë hektarë, ndërkohë që kulturat e tjera si bimët foragjere, perimet, patatja, bishtajoret dhe bimët industriale zënë pjesën tjetër të tokës së punueshme. Por përkundër këtyre shifrave, toka e lënë djerrinë përbën mbi 6 mijë hektarë, një tjetër tregues i mungesës së mbështetjes efektive për prodhuesit bujqësorë.
Për më tepër, raporti thekson se vetëm 34 mijë hektarë janë ujitur, të paktën një herë gjatë vitit. Në një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme, me verëra të nxehta dhe mungesë të reshjeve. Ndërkohë, mbi 122 mijë hektarë janë trajtuar me pesticide.
Në aspektin e blegtorisë, të dhënat nuk janë më inkurajuese. Në vitin 2024 janë raportuar 240,848 krerë gjedhë, një rënie prej afro 6,600 krerësh krahasuar me vitin 2023. Në të vetmen kategori ku është shënuar një rritje është ajo e deleve, nga 207 mijë në 211 mijë krerë.
ASK thekson se të dhënat janë përpiluar në përputhje me standardet e Eurostat-it dhe përfshijnë informacione për prodhimin bimor, përdorimin e inputeve bujqësore, blegtorinë dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore. /Kujdestari.info