Rritja e vazhdueshme e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt edhe në sektorin e bujqësisë. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se kostot e inputeve bujqësore janë rritur ndjeshëm në tremujorin e katërt të vitit 2025, duke ushtruar presion shtesë mbi fermerët dhe prodhimin vendor, shkruan Kujdestari.info.
Sipas ASK-së, Indeksi i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi për TM4 2025 shënon rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, duke reflektuar shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve bazë që përdoren në prodhimin bujqësor.
Në TM4 2025, Indeksi i Input 1, i cili përfshin mallrat dhe shërbimet që konsumohen aktualisht në bujqësi, ka shënuar rritje prej 4,3% krahasuar me TM4 2024. Ndërkohë, Indeksi i Input 2, që përfshin mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore, ka pasur rritje prej 3,7% në të njëjtën periudhë.
Si rezultat, indeksi i përgjithshëm i inputeve bujqësore (Input 1 + Input 2) ka shënuar rritje vjetore prej 4,0%, duke konfirmuar trendin e rritjes së kostove në sektorin e bujqësisë.
ASK sqaron se Indeksi i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi është i ndarë në dy grupe kryesore:
Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1), ku përfshihen:
-
farërat dhe materiali mbjellës,
-
energjia dhe vajrat,
-
plehrat dhe përmirësuesit e tokës,
-
produktet për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet,
-
shpenzimet veterinare,
-
ushqimi i kafshëve,
-
mirëmbajtja e materialeve dhe ndërtesave,
-
si dhe mallra dhe shërbime të tjera të nevojshme për aktivitetet bujqësore.
Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore (Input 2), ku përfshihen:makineritë dhe pajisjet bujqësore, ndërtesat rezidente dhe jo-rezidente të fermave, si dhe punët dhe shërbimet e tjera që lidhen me investimet, përjashtuar përmirësimin e tokës.
Si janë mbledhur të dhënat
ASK bën të ditur se ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara brenda Kosovës. Të dhënat janë mbledhur në: barnatore bujqësore, farmaci veterinare, kompani të ndryshme, tregje dhe pika të tjera të shitjes,
ku inputet bujqësore janë të disponueshme për fermerët.
Indeksi është llogaritur për periudhën TM4 2020 – TM4 2025, me vitin bazë 2020 = 100, duke mundësuar krahasime të qarta ndër vite.
Rritja e çmimeve të inputeve bujqësore në fund të vitit 2025 përbën një sinjal të rëndësishëm për sektorin bujqësor, veçanërisht për fermerët e vegjël dhe të mesëm, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj rritjes së kostove të prodhimit. /Kujdestari.info/