Në muajin dhjetor të vitit 2025, janë regjistruar 1,000 biznese. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës- ASK, krahasuar me muajin paraprak, kemi ngritje për 8.8% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2024, ka ngritje për 6% të ndërmarrjeve të regjistruara.
![Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2026/01/Burimi_Agjencia-e-Statistikave-te-Kosoves_ASK4.jpg)
Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe aktivitetet profesionale, ishin aktivitetet më të preferuara, sipas njoftimit të ASK-së.
“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij mujori ishin: tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 252 (25.2%), aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 120 (12%), akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 110 (11%), Prodhim me 99 (9.9%) etj.”- bën të ditur ASK.
Sipas madhësisë, në kategorinë “Mikro Ndërmarrje” (0 deri në 9 të punësuar) janë gjithsej 988 ndërmarrje të regjistruara, në kategorinë “Ndërmarrje të Vogla” (10 deri 49 të punësuar) janë gjithsej 12 ndërmarrje të regjistruara, kurse në kategorinë “Ndërmarrje të Mesme” (50 deri 249 të punësuar) dhe “Ndërmarrje të Mëdha“ (250+), nuk kemi ndërmarrje të regjistruara këtë muaj, njofton ASK.
Gjysma e bizneseve apo ndërmarrjeve u regjistruan në regjionin e Prishtinës, ndërsa pjesa tjetër në regjione tjera të vendit.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve: Regjioni i Prishtinës prinë me 500 ndërmarrje të regjistruara (50%), Regjioni i Prizrenit me 105 (10.5%), Regjioni i Gjilanit me 99 (9.9%), Regjioni i Ferizajt me 87 (8.7%), Regjioni i Mitrovicës me 85 (8.5%), Regjioni i Gjakovës me 65 (6.5%), dhe Regjioni i Pejës me 59 (5.9%).”- thuhet në raportin e ASK-së.
ASK thekson se Regjistri Statistikor i Bizneseve (RSB), përmban të gjitha njësitë legale (bizneset apo ndërmarrjet) që ushtrojnë aktivitetin ekonomik brenda territorit të Kosovës. Ndërsa ky regjistër nuk përmban: Administratën Publike, Organizatat Jo Fitimprurëse, Organizatat Ndërkombëtare. /Kujdestari.info