Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka ripërtërirë licencat e shërbimit për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU), si dhe për Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenci” sh.a, raporton Kujdestari.info.
Licencat e reja janë dhënë për një periudhë pesëvjeçare, nga 11 shtatori 2026 deri më 10 shtator 2031.
Licencat iu dorëzuan kryeshefave ekzekutivë të këtyre kompanive:
- KRU “Prishtina” sh.a.
- KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a.
- KRU “Hidrodrini” sh.a.
- KRU “Gjakova” sh.a.
- KRU “Mitrovica” sh.a.
- KRU “Bifurkacioni” sh.a.
- KRU “Hidromorava” sh.a.
- N.H. “Ibër-Lepenci” sh.a.
Në ceremoninë e ripërtëritjes së licencave, zëvendësdrejtori i ARRU-së, Abedin Azizi, tha se licencimi është një nga përgjegjësitë kryesore të autoritetit, pasi përmes këtij procesi vlerësohen kapacitetet teknike, financiare dhe menaxheriale të ofruesve të shërbimeve.
Azizi theksoi se licencat përcaktojnë detyrimet ligjore dhe rregullatore të kompanive, zonat e shërbimit dhe kushtet në të cilat ato duhet të operojnë.
Ai u bëri thirrje kompanive që të sigurojnë shërbime cilësore, efikase dhe të sigurta për konsumatorët, duke u kujdesur njëkohësisht për qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve.
Në emër të Bordit të Drejtorëve të SHUKOS-it, në ceremoni foli kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, i cili falënderoi ARRU-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen gjatë procesit të licencimit.
Në përmbyllje, licencat e reja iu dorëzuan zyrtarisht drejtuesve të kompanive rajonale të ujësjellësit dhe “Ibër-Lepencit”. ARRU bëri të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen dhe rregullimin e ofrimit të shërbimeve të ujit në Kosovë. /Kujdestari.info/