Ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është arrestuar të premten nga Policia në pikën kufitare në Bërnjak pasi gjatë ditës kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hoçë të Madhe të Rahovecit, raporton Radiotelevizioni Publik (RTK) me konfirmim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Popoviq e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe krahasoi veprimet e saj me ato çka po ndodhin në Gazë, gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë për përkujtimin e viktimave serbe në komunën e Rahovecit.
Gjithashtu, në këtë deklaratë ai ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.
Për arrestimin e Popoviqin kanë reaguar organizatat e dala nga lufta – OVL, Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) – duke thënë se ky është mentaliteti i vartësve të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, “që sot përfaqësohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”.
“Kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, reagojnë ashpër ndaj pranisë në Kosovë të ndihmësit të Petar Petkoviqit, i njohur për gjuhë fyese dhe urrejtje ndaj UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare. Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri. Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, thuhet në reagimin e tyre.
KOHA ka kontaktuar me Policinë për të mësuar detaje të tjera nga ky arrestim. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.