E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

ARKEP angazhon konsulent ndërkombëtar për bartshmërinë e numrave me kontratë 15 mijë euro

Ndaj

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka realizuar një tender me procedurë të hapur për angazhimin e një eksperti ndërkombëtar që do të ofrojë konsulencë për implementimin e projektit të bartshmërisë së numrave për nevojat e Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP)

Pavarësisht se tenderi ishte i hapur, në garë ka marrë pjesë vetëm një ofertues – eksperti britanik James Wild, i cili është shpallur fitues nga AQP.

Kush është eksperti i angazhuar?

Sipas dokumenteve të prokurimit, fituesi i tenderit është James Wild nga Tackley, Angli, një ekspert i sektorit të telekomunikimeve dhe veçanërisht në fushën e bartshmërisë së numrave (number portability). Wild rezulton të ketë përvojë shumëvjeçare në asistimin e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve në vende të ndryshme, duke ofruar ekspertizë në proceset e kalimit të numrit nga një operator tek tjetri.

Në këtë kontratë, ai do të veprojë si konsulent i jashtëm ekskluziv për ARKEP-in.

Kontrata, me vlerë 15 mijë euro, do të zgjasë 6 muaj, ndërsa shërbimet e konsulentit do të fillojnë menjëherë pas nënshkrimit të kontratës dhe kërkesës nga ARKEP-i.

Në terma praktikë, kjo do të thotë një kosto rreth 2,500 euro në muaj, përfshirë të gjitha detyrat e parashikuara.

Detyrimet kryesore të konsulentit sipas kontratës:

Të ofrojë shërbime këshillimore sipas kërkesave të ARKEP-it, të përshkruara në Aneksin 1 – Termat e Referencës.

Të asistojë në procesin e testimeve ndërmjet operatorëve në kuadër të implementimit të sistemit të bartshmërisë së numrave.

Të dorëzojë raportin përfundimtar mbi detyrat e realizuara brenda periudhës 6-mujore.

Obligimet e ARKEP-it:

Brenda 3 ditëve nga marrja e kontratës së nënshkruar, ARKEP është i obliguar të hartojë Planin e Menaxhimit të Kontratës.

Të emërojë një përfaqësues të vetëm, i cili shërben si pikë koordinimi midis konsulentit, AQP-së dhe autoritetit rregullator.

Çfarë është projekti i bartshmërisë së numrit?

Bartshmëria e numrave (number portability) është një proces që i lejon përdoruesit e telefonisë të ndërrojnë operatorin, por të mbajnë numrin e tyre të vjetër.

Ky projekt është një prej reformave të rëndësishme të tregut të telekomunikimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në konkurrencë dhe në të drejtat e konsumatorëve. ARKEP prej vitesh ka paralajmëruar implementimin e tij, ndërsa ky angazhim i konsulentit ndërkombëtar vlerësohet si fazë ndihmëse drejt përmbylljes së projektit.

Lexo më shumë

Të tjera