Agjencia Qendrore e Prokurimit ka përfunduar procedurën për furnizimin me karburante të institucioneve qendrore dhe lokale, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan Kujdestari.info.
Tenderi është ndarë në nëntë lote, ndërsa vlera e përgjithshme e parashikuar nga AQP-ja ishte 19 milionë e 730 mijë euro. Procedura përfshin furnizimin me naftë, benzinë dhe AD-Blue për një periudhë 12-mujore.
Sipas njoftimeve për dhënien e kontratave, vlera e përgjithshme e nëntë loteve të shpërblyera arrin në rreth 18 milionë e 886 mijë euro.
Mbi 17.4 milionë litra të parashikuara
Në dosjen e tenderit janë parashikuar afërsisht 17 milionë e 409 mijë e 500 litra naftë, benzinë dhe AD-Blue.
Sasia më e madhe është planifikuar për Policinë e Kosovës, me gjithsej rreth 4 milionë e 566 mijë litra, prej të cilave 4.32 milionë litra naftë, 210 mijë litra benzinë dhe 36 mijë litra AD-Blue.
Për institucionet publike të nivelit qendror janë parashikuar rreth 2 milionë e 405 mijë litra, ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në rreth 1 milion e 510 mijë litra. Për ngrohje, gjeneratorë dhe rezerva të institucioneve qendrore janë parashikuar rreth 3.3 milionë litra naftë.
Për rajonet lokale sasitë e parashikuara janë:
- Rajoni i Prishtinës: rreth 1.92 milion litra
- Rajoni i Prizrenit: rreth 595 mijë e 500 litra
- Rajoni i Pejës dhe Gjakovës: rreth 1.15 milion litra
- Rajoni i Ferizajt dhe Gjilanit: rreth 1.33 milion litra
- Rajoni i Mitrovicës: rreth 629 mijë e 500 litra.
HIB Petrol marrin pjesën më të madhe
Pjesa më e madhe e kontratave i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë të udhëhequr nga HIB Petrol SH.P.K., në bashkëpunim me HIB Petrol Corporation SH.P.K. dhe HIB Distribution SH.P.K.
Ky grup është shpërblyer me tetë nga nëntë lotet, me një vlerë të kombinuar prej rreth 16 milionë e 209 mijë euro.
Kontratat e grupit përfshijnë:
| Loti | Përfituesi | Vlera |
|---|---|---|
| Lot 1 | Policia e Kosovës | 4,778,714.28 € |
| Lot 3 | Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja | 1,579,406.83 € |
| Lot 4 | Ngrohje, gjeneratorë dhe rezerva për nivelin qendror | 3,697,763.56 € |
| Lot 5 | Rajoni i Prishtinës | 2,124,387.95 € |
| Lot 6 | Rajoni i Prizrenit | 623,799.90 € |
| Lot 7 | Rajoni i Pejës dhe Gjakovës | 1,297,836.42 € |
| Lot 8 | Rajoni i Ferizajt dhe Gjilanit | 1,397,289.71 € |
| Lot 9 | Rajoni i Mitrovicës | 709,792.59 € |
Vetëm Loti 2, që lidhet me furnizimin e automjeteve të institucioneve publike të nivelit qendror, i është dhënë kompanisë IP-KOS SH.P.K., në vlerë prej 2 milionë e 677 mijë e 820 euro.
Kështu, grupi i udhëhequr nga HIB Petrol ka marrë rreth 86 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratave, ndërsa IP-KOS rreth 14 për qind.
Policia merr kontratën më të madhe
Kontrata me vlerën më të madhe është ajo për furnizimin e Policisë së Kosovës, në shumën prej rreth 4.78 milionë euro.
Pas saj renditet kontrata për furnizimin me karburante për ngrohje, gjeneratorë dhe rezerva të institucioneve të nivelit qendror, me rreth 3.7 milionë euro.
Kontrata e tretë më e madhe është ajo për automjetet e institucioneve publike të nivelit qendror, me rreth 2.68 milionë euro.
Çmimet dhe sasitë mund të ndryshojnë
Megjithëse dosja përmban sasitë e parashikuara në litra dhe vlerat e kontratave, AQP-ja ka sqaruar se ato janë indikative.
Institucionet nuk janë të detyruara t’i blejnë të gjitha sasitë e parashikuara dhe mund të blejnë më pak ose më shumë, varësisht nga nevojat. Pagesat do të bëhen vetëm për sasitë që porositen dhe furnizohen realisht.
Edhe vlera financiare mund të ndryshojë për shkak të lëvizjes së çmimeve të karburanteve në treg. Në dosje thuhet se përllogaritja fillestare është bërë duke marrë për bazë çmimet e shkurtit 2026, ndërsa gjatë zbatimit çmimet do të përshtaten sipas formulës së përcaktuar nga AQP-ja.
Kontratat janë parashikuar të zgjasin 12 muaj, ndërsa furnizuesit duhet të raportojnë periodikisht në AQP për sasitë e dorëzuara, llojin e karburantit, vlerën e faturave dhe datat e pagesave.
Një nga elementet që e veçon këtë tender nga procedurat e mëparshme është vendosja e një kriteri të ri lidhur me burimin e furnizimit. AQP-ja ka kërkuar që operatorët ekonomikë të dorëzojnë garancion, autorizim ose konfirmim nga rafineria apo prodhuesi, përmes të cilit garantohet furnizimi për lotin ku operatori konkurron. Dokumenti është kërkuar në origjinal, i nënshkruar dhe i vulosur.
Kjo kërkesë është përfshirë në kuadër të kritereve për kapacitetet teknike dhe profesionale, krahas kushteve për autobotet, pikat e shitjes dhe rezervat e karburanteve. Në dosjen e tenderit ajo figuron si Kërkesa 4, me formulimin “garancion apo autorizim apo konfirmim nga rafineria/prodhuesi”.
Në praktikë, një kriter i tillë mund ta vështirësojë pjesëmarrjen e operatorëve që furnizohen përmes distributorëve, dilerëve ose ndërmjetësve, por që nuk kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një rafineri apo prodhues. Për këtë arsye, kriteri mund të konsiderohet më kufizues sesa një kërkesë e zakonshme për dëshmi të kapacitetit të furnizimit.n/Kujdestari.info/
